Kosova

Daka: Vendimi i presidentes – jokushtetues dhe qesharak


Valdete Daka pas shkarkimit nga detyra si Kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur si jokushtetues dhe qesharak.

Ajo në një konferencë për media ka thënë se ky vendim nuk ka kurrfarë baze ligjore apo kushtetuese, përmban në vetvete kundërthënie, prandaj është edhe joserioz.

“Tashmë të gjithë e dini se Presidentja Osmani, ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin e dhënë gjatë fushatës së fundit zgjedhore për shkarkimin tim. Ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi për shkarkimin tim jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me veten, por edhe qesharak”, është shprehur ajo.

Daka ka thënë se vendimi i Presidentes Osmani “shihet qartë”, se ishte përgatitur më herët, sepse sipas saj këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të Kryetarit të ri të KQZ-së brenda pak minutave.

Ajo po ashtu ka theksuar se publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë edhe një takim në të cilin ajo ishte e ftuar nga Presidentja e Kosovës.

“Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranojë falënderime publike për punën e deritashme si kryetare e KQZ-së”, shtoi Daka.

Për Dakën kjo sjellje nga ana e presidentes ishte e papranueshme, derisa sqaroi se Osmanit i ka thënë se e kapërmbushur detyrën “me identitet të lartë profesional dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi”.

Kryetarja e shkarkuar e KQZ-së ka treguar se “kërcënimet publike” siç i quan ajo nga Osmani kishin nisur që nga janari i vitit 2021.

Në anën tjetër ajo ka thënë se “presidentja ndonëse do të duhej të ishte në krye të respektimit të vendimeve kushtetuese ajo bënte thirrje për mos zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese para zgjedhjeve të 14 shkurtit”.

Sipas Dakës, në këtë vendim Osmani ka radhitur disa arsye të cilat “janë të paqëndrueshme”.

“Së pari presidentja ka përmendur presionin tim ndaj anëtarëve, në këtë mbledhje është parë presioni i partive politike publikisht nga mediat. Rruga ligjore e ndjekur nga unë dhe e shumicës së anëtarëve është konfirmuar nga PZAP dhe institucionet e tjera”.

“Të akuzohem vetëm unë i bie që të gjitha vendimet i kam marr vetëm unë si Valdete Daka e jo nga kolegjiumi i KQZ-së”, është shprehur Daka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore