Auto

Daimler-i do t’i paguajë Nokias tarifat e patentës


Prodhuesi gjerman i automjeteve, Daimler, ka rënë dakord të paguajë Nokia-n mbi përdorimin e patentave të saj duke i dhënë fund betejës mes kompanive teknologjike dhe atyre të makinave mbi honorarët e teknologjive kryesore.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se marrëveshja vjen pas disa padive ndërmjet Nokia-s dhe Daimler-it në gjykatat gjermane gjatë viteve të fundit.

Lidhur me situatën, kompanitë teknologjike duan që prodhuesit e automjeteve të paguajnë honorarë për teknologjitë e përdorura në sistemet e navigimit dhe në veturat e vetëdrejtuara. Dhe për këto të fundit, kërkojnë që furnitorët të paguajnë në vend çka mund të ulë tarifat për mbajtësit e patentave.

Ndërkohë, marrëveshja e shpallur bashkërisht shënon fitoren e fundit për Nokia-n. Në prill, kompania arriti një marrëveshje me Lenovo-n e Kinës sipas së cilës prodhuesi më i madh i kompjuterëve personalë në botë, do të kryente një pagesë neto balancimi te prodhuesi finlandez i telekomunikacionit.

Kjo bëri që të zgjidheshin edhe çështjet gjyqësore të mbetura në pritje me të.

Marrëveshja pasoi një tjetër me Samsung-un gjatë muajit të kaluar. Në të, kompania koreano-jugore ra dakord të kryente pagesa për teknologjitë e saj në lidhje me standardet e videos.

Kushtet e marrëveshjes mbi licencimin e patentave ndërmjet Nokia-s dhe Daimler-it nuk janë detajuar, megjithatë është bërë e ditur se do të ndalnin proceset gjyqësore.

Reuters tregon gjithashtu se prodhuesi gjerman i makinave nuk ka kryer kurrë pagesa ndaj Nokia-s mbi përdorimin e patentave të saj.

Një zëdhënës i Daimler-it ka pohuar se “e mirëpresim zgjidhjen nga një këndvështrim ekonomik dhe se shmangim mosmarrëveshjet e gjata”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore