Muzikë

“Dafinë Moj” me plot bashkëpunime – Tuna, Mc Kresha dhe Buta vetëm disa nga ta


Dafina Zeqiri - Artiste

Këngëtarja e njohur, Dafina Zeqiri, ditë më parë ka publikuar kopertinën e albumit të saj “Dafinë moj”, në të cilën përtej veshjeve të saja ekstravagante dhe dukjeve unike, kishte vendosur të vijë më natyrale duke u paraqitur në një lëndinë të mbushur me kafshë dhe me një dukje të thjeshtë dhe shumë artistike.

Kopertina e albumit “Dafinë Moj” nga Dafina Zeqiri.

“Dedikuar për një grua shumë të veçantë – Melihate Zeqiri ”, shkruhet në kopertinën e albumit të ri të Dafinës, ndërsa të gjithë punën ajo tregon t’ia ke dedikuar të ëmës së saj.

Por, jo vetëm kaq!

Në albumin e ri të Dafina Zeqirit, pos këngëve solo, pjesë do të bëjnë edhe disa bashkëpunime me artistët më me nam në estradën shqiptare.

Kënga kryesore e albumit “Dafinë Moj” do të vijë në bashkëpunim me të ëmën e Zeqirit, Melihaten, ndërsa pos kësaj, një këngë tjetër të veçantë do ta sjellë bashkë me të dashurin e saj, Dj Geek, e që dyshja e kanë titulluar – “Tdu – duh”.

“Dafinë Moj” – Dafina Zeqiri.

Pos tyre, Dafina do të ketë edhe bashkëpunime të tjera me artistë nga Kosova, përfshirë këtu rep artistët si; Mc Kresha, me të cilin ka bashkëpunuar në këngën “Vet e lype”, Buta dhe kënga e tyre “Era”, një këngë tjetër me Lumi B, të titulluar “Nana” si dhe hitin tashme të publikuar, “Llafe llafe” me Lyrical Son.

Madje, “Dafinë Moj” do të sjellë edhe një bashkëpunim tjetër me artisten, Argjentina Ramosajn, teksa këngën e kanë titulluar “Sado”.

Por, më i spikaturi nga të gjithë mbetet të jetë ai me këngëtaren nga Maqedonia e Veriut – Tuna.

“Sunny hill” është kënga e cila do të risjellë edhe një herë bashkë dyshen e famshme, Dafina Zeqirin dhe Altuna Sejdiun – Tuna.

Kënga mes Dafinës dhe Tunës pritet të jetë një nga hitet e këtij viti bazuar në suksesin qe dyshja kishin kur në vitin 2010, patën publikuar këngën “Vibe” në bashkëpunim me rep artistin 2po2, e që ishte mes këngëve më të dëgjuara të asaj kohe.

Në anën tjetër, Zeqiri, këtë vit ka qenë shumë produktive duke publikuar projekte të reja muzikorë të kohëpaskohshme dhe që të gjitha u shndërruan shpejt në hite.

“Llafe llafe” është kënga e fundit e publikuar nga Dafina në bashkëpunim me rep artistin, Lyrical Son, e cila aktualisht numëron mbi 3 milionë klikime në YouTube.

Javë më parë, ajo po ashtu ka publikuar solo projektin e saj “Happy Birthday”, që u klikua më shume se 2 milionë herë në YouTube, ndërsa më i suksesshmi i kësaj vere ishte bashkëpunimi me Cricket dhe Muma, i cili ka grumbulluar mbi 25 milionë klime në YouTube.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore