Lajme

Daçiç për sanksionimin e Vulinit nga ShBA: “Përpjekje për ekuilibër artificial mes Kosovës dhe Serbisë”


Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, pretendon se sanksionimi i drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë, Aleksandër Vulin nga ShBA-ja u bë “për t’u krijuar një ekuilibër artificial” mes Serbisë dhe Kosovës.

“Pas vendimeve të ashpra të Perëndimit dhe ShBA-së ndaj pushtetit në Kosovë, ishte vetëm çështje ditësh se kur do të arrinte një vendim kundër Beogradit”, tha Daçiç për gazetën serbe Politika.

“Kjo nuk ka qenë kurrë një politikë e mirë, sepse nuk mund të krijosh një ekuilibër mes Prishtinës e cila në vazhdimësi ka minuar dialogun, ka përdorur dhunë dhe nuk dëshiron zgjidhje dhe Beogradit i cili e mban gjallë dialogun dhe përmbush gjithçka që është rënë dakord”, ka shtuar ai.

Kryediplomati serb ka potencuar se nga ShBA-ja nuk ka mbërritur asnjë provë për pretendimet e tyre ndaj kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë (BIA) Aleksandër Vulin, ndaj të cilit janë vendosur sanksione.

“Ne nuk kemi marrë asnjë informacion nga Amerika, madje as një tregues se ka ndonjë akt kriminal të përfshirë. Sigurisht që do të kërkojmë shpjegim nga Shtetet e Bashkuara, sepse kjo nuk është një çështje private, por një vendim i drejtuar kundër një zyrtari të lartë të qeverisë. Por, le ta lëmë mënjanë, motivi i këtij vendimi është politika”.

Duke folur për arsyen pse u vendosën këto sanksione ndaj Vulinit, Daçiç shtoi se kjo ndodhi për shkak të qëndrimeve të Vulin-it ndaj Rusisë”.

“Nëse ne do të kishim vendosur sanksione ndaj Rusisë, nuk do të kishte sanksione kundër Vulin apo dikujt tjetër”, theksoi Daçiç.

I pyetur se si kjo mund të ndikojë në marrëdhëniet serbo-amerikane, ai tha se Serbia “ka bashkëpunim të mirë me ShBA-në në luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore