Lajme

Daçiç i dërgon notë proteste Kroacisë pasi Radman quajti Vuçiçin “trabant rus”


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka dënuar ashpër deklaratën e kreut të diplomacisë kroate, Gordan Grliç Radman, se presidenti serb Aleksandër Vuçiç është një “trabant rus” dhe i ka dërguar një notë proteste Zagrebit.

Daçiç, dikur bashkëpunëtor besnik i kriminelit Sllobodan Millosheviç, tha se urrejtja ndaj serbëve po ndërtohet sistematikisht në Kroaci.

“Në Kroaci prej vitesh është ndërtuar sistematikisht një atmosferë urrejtjeje ndaj Serbisë dhe popullit serb. Vetëm një shembull i tillë është deklarata e ministrit të Jashtëm kroat, Grliç Radman, duke sulmuar Serbinë dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, tha Daçiç.

“Askush nuk ka të drejtë, sidomos Kroacia të ndërhyjë brutalisht në punët e brendshme të Serbisë. Serbia është një vend që udhëheq një politikë të jashtme sovrane dhe të pavarur, e cila është vetëm në interes të qytetarëve tanë dhe popullit tonë”.

Edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u zemërua nga deklarata e Radmanit dhe theksoi se ministri kroat jo vetëm që përzihet brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, “por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e Serbisë”.

“Grliç Radman ka të drejtë për një gjë, ndoshta unë jam rob i dikujt, por kurrë nuk kam ka qenë djaloshi dhe shërbëtori i askujt, gjë që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Grliç Radman”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Të shtunën, në një intervistë për rrjetin ballkanik të lajmeve “N1”, kryediplomati kroat përsëriti se Serbia po ndjek një politikë të dyfishtë në të cilën përpiqet të afrohet me BE-në dhe Rusinë në të njëjtën kohë, por në fund do të duhet të vendosë në anën e kujt do të jetë.

“Vuçiçi dhe politika e tij duhet të vendosin se në cilën karrige do të ulet, sepse është e pakëndshme të ulesh në dy karrige. Vuçiç nuk duhet të ketë dilemë të madhe, ai e di se nga e ka mbështetjen”, tha Radman.

“Ai mund të jetë një lloj ‘trabanti apo sateliti i Rusisë’, por si aleatë dhe partnerë me SHBA-në, ne nuk do të lejojmë asnjë ndikim rus apo ndikime të tjera malinje që do të cenonin stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi kryediplomati kroat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore