Lajme

Daçiç: Asociacioni është “parakusht i të gjitha parakushteve”, qëndrimi i Perëndimit ndaj Serbisë ka ndryshuar


Ivica Daçiç

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë ndryshuar politikën e tyre ndaj Serbisë sepse qasjen e palës serbe ndaj dialogut po e vlerësojnë si konstruktive dhe të përgjegjshme.

Daçiç tha se Perëndimi tani është pajtuar me dy vija të kuqe – çështjen e njohjes së Kosovës, pra çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe, siç tha ai, “një parakusht për të gjitha parakushtet” që së pari të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosvë.

“Është diçka për të cilën realisht nuk kemi nevojë të diskutojmë apo negociojmë përsëri, sepse është diçka për të cilën ndoshta jemi pajtuar kur e kemi nënshkruar atë marrëveshje 10 vjet më parë”, tha shefi i diplomacisë serbe.

Kyrediplomati serb tha se gjëja më e rëndësishme gjatë vizitës së tij në Uashington ishin bisedimet në Departamentin e Shtetit, me këshilltarin e lartë, Derek Chollet dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Këtu kam dëgjuar se shprehen pozitivisht për Serbinë dhe vetë thonë se qëndrimi i QUINT-it, përfshirë edhe SHBA-në, ka ndryshuar shumë në raport me këtë pozicionim të Serbisë, gjë që tregon se ka qenë një vendim i drejtë”, tha ai.

Presioni i SHBA-ve dhe BE-së është rritur kohët e fundit si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd, të cilët po kërkojnë nga palët ta nënshkruajnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, mirëpo ai prentendoi se s’ka më nevojë t’i bëhet presion palës serbe.

“Këtë duhet ta bisedojnë me Prishtinën që të pranojnë se po zbatojnë diçka që e kanë nënshkruar dhjetë vjet më parë. Pra, ky është një ndryshim i madh në qasje. Nuk ka dyshim që pozicioni ynë atje është i mirë, por temat për të cilat flasim janë të vështira dhe të bazuara në disa gjëra që mendoj se janë shumë të vështira për t’u diskutuar”.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron interesat vitale të shtetit sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë, kryediplomati serb tha se “interesi i Serbisë është i tillë që ne t’i bashkohemi një politike të re, marrëdhënieve me vendet perëndimore” ndërsa shtoi se “kjo nuk është e lehtë dhe një proces i thjeshtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore