Çudit Gërvalla, thotë se nëse Olaf Scholz e viziton Serbinë, kjo është inkurajim për ta sulmuar Kosovën

Dreni Himbeqa
17.07.2024 10:43
Loading Icons...

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare për ditë të tëra kanë raportuar për një vizitë të mundshëm të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, në Serbi, për të lidhur, siç kanë shkruar këto media, një marrëveshje me shtetin e Serbisë për burimet natyrore të litiumit.

Ndonëse një vizitë e tillë nuk është konfirmuar ende, për ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ky do të ishte gabimi i radhës që Gjermania do të bënte pas asaj me Rusinë, e cila kishte lidhur marrëveshje për gazin rus, duke mos llogaritur fare tendencat hegjemoniste të Kremlinit zyrtar ndaj fqinjëve të tij.

“Përsëri ka një tendencë për të bërë gabime të ngjashme siç janë bërë me Rusinë, ku burimet e gazit e të naftës janë konsideruar më të rëndësishme sesa shteti ligjor dhe vlerat demokratike që përqafon një vend”, tha ajo në një intervistë për emisionin “DPT te Fidani” në Televizionin A.

Gërvalla ndërsa potencoi se Serbia nuk ka as përafërsisht burimet e litiumit të cilat, sipas saj, do ta shpëtonin Gjermaninë apo Bashkimin Evropian nga disa ngushtica rreth burimeve të litiumit, vlerësoi se me një vizitë të tillë Berlini zyrtar mund të dërgojë një mesazh të gabuar, duke inkurajuar Serbinë që t’i sulmojë fqinjët e saj, përfshirë edhe Kosovën.

“Mund të dërgohet përsëri një mesazhi i gabuar përmes një vizite të tillë. Burimet e litiumit i japin një rol të veçantë Serbisë. Nëse bëhet ky hap atëherë ju siguroj që Serbia ka për t’u ndjerë shumë e inkurajuar për të sulmuar, jo vetëm Kosovën”, paralajmëroi ajo.

Ndryshe, Gërvalla, vitin e kaluar gjatë fjalës së saj në një nga panelet në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci, kishte thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, Bashkimi Evropian, nuk mund të garantojë paqe dhe siguri, dhe se e njëjta pa këto dyja, sipas saj, është një “tigër prej letre”.

Në vlerësimin e Gërvallës, asokohe, “BE-ja nuk mundet” ta garantojë sigurinë, meqë sipas saj “nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri”.

“Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’”.

Të fundit

Aktuale