Shqipëria

Çuçi pret në takim homologen italiane: Fusha e sigurisë, në fokus


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, të martën e 7 qershorit ka pritur në një takim homologen e tij italiane Luciana Lamorgese, në kuadër të 25-vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë.

“Ndryshe nga çerekshekulli më parë, kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997, sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok, teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit”, u shpreh Çuçi.

Ai ka shprehur falënderimin për mbështetjen maksimale që Italia ka dhënë vazhdimisht për forcat e Policisë shqiptare.

Po ashtu, ai ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacioneve policore prej të cilave “kemi pasur rezultate impresionuese”.

Ndërsa ministri ka renditur edhe punën e kryer në bashkëpunim me autoritetet italiane.

“30 operacione të përbashkëta përgjatë vitit 2021 dhe nëntë operacione vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë dukshëm një punë shumë domethënëse për një të ardhme të sigurt të qytetarët tanë”, vijoi Çuçi.

Më tej, ai ka falënderuar Lamorgese-n për mbarëvajtjen e finales së “UEFA Conference League”, e cila u luajt në stadiumin “Air Albania”.

Sipas tij, ky event dëshmoi edhe njëherë se, “ne dimë të funksionojmë si një trup i vetëm përballë sfidave që lidhen me rendin dhe sigurinë”.

Në vijim, ministri Çuçi ndau me ministren e Brendshme të Italisë, Luciana Lamorgese, projektin për transformimin e Akademisë së Sigurisë.

“E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë tonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore”, vijoi ministri Çuçi.

Theksi, ndër të tjera, u vendos te marrëdhënia “speciale” mes dy vendeve dhe “bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet”.

Vetë ministrja italiane, Luciana Lamorgese, vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në fushën e rendit, sigurisë dhe çështjeve të brendshme.

Në mënyrë të veçantë, ajo tha se Shqipëria nuk është më një problem për Italinë prej vitesh për sa u përket flukseve migratore.

Vizita e një ministri të Brendshëm italian vjen pothuajse pas shtatë vitesh. Kujtojmë që, në vitin 2015, Shqipërinë e vizitonte ministri i Brendshëm i asaj kohe, Angelino Alfano.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore