Shqipëria

Çuçi: Mbi 80% e shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online


Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u ndal te modernizimi i shërbimit të Gjendjes Civile, ku bëri me dije se mbi 80% e shërbimeve të Gjendjes Civile do të jenë online.

“Besoj se të gjithë i mbani mend radhët e gjata që krijoheshin nëpër sportele të Gjendjes Civile për një certifikatë lindje, martese apo një dokument tjetër çfarëdo. Në jo pak raste këto sportele ishin kthyer në qendra ku gëlonte ryshfeti”, tha Çuçi duke shtuar se 21 shërbimet që do ofrohen online do të minojne korrupsionin në zyrat e shtetit.

Sipas Çuçit jo vetëm ulja e korrupsionit por ky modernizim ka shkurtuar kohën e pritjes së qytetarëve për të marrë shërbimin që kërkojnë.

“Aktualisht jemi në hapat e fundit të punës për konfirmimin edhe të certifikatave në gjuhë të huaj të cilat do të gjenerohen automatikisht nga e-Albania pa qenë nevoja për t’u paraqitur nëpër sportele”.

Për fushatën e vetëdeklarimit dhe regjistrimit të adresave, Ministri i Brendshëm tha se adresën e plotë me tetë elementë sipas ligjit e kanë rreth 2.4 milionë shtetas shqiptarë.

Ndërkohë vijon fushata e ndërgjegjësimit për qytetarët që nuk e kanë ende një adresë të saktë të regjistruar. Vetëm me një adresë të saktë tha Çuçi, ke akses në shumë shërbime publike të cilat në masë të madhe ofrohen online.

“Digjitalizimi dhe procesi i modernizimit të shërbimeve publike është një instrument i pazëvendësueshëm jo vetëm për të mbajtur larg korrupsionin në zyrat e shtetit, por është një kapërcim epokal që sjell akses më të madh dhe më cilësor të qytetarëve në shërbimet publike”, u shpreh ministri Çuçi.

Ai ka sqaruar se Shërbimi i Gjendjes Civile është duke u përmirësuar dita ditës dhe kjo sipas tij vërehet edhe në raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 6 marsit.

“Shërbimi i Gjendjes Civile po përmirësohet drejtë standardeve më të mira. Edhe në raportin e fundit të OSBE-ODHIR, për herë të parë në 30 vite nuk ka asnjë vërejtje për listën e zgjedhësve dhe është diçka për të cilën duhet të jemi krenar sepse kemi ngritur nivelin e shërbimeve në standardet më të larta”, tha Çuçi.

Duke folur për aktin normativ për disa shtesë në ligjin nr.8952 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, ai tha se falë zgjatjes së vlefshmërisë së kartave të identitetit për personat të cilëve iu kishte skaduar afati i këtij dokumenti u bë e mundur votimi i rreth rreth 144 mijë qytetarëve.

Ai e përmbylli duke vënë theksin se me modernizimin e shërbimit, 21 shërbime merren online direkt nga kompjuteri apo celulari.

“Ky është një kapërcim i jashtëzakonshëm që krijon siguri, që tregon përkujdesje dhe sjell zhvillim. Edhe po të dojë këtë nuk mund ta mohojë dot askush”, e përmbylli Çuçi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore