Shqipëria

Çuçi kërkon amnisti për shqiptarët pa viza që punojnë në Britani


Ministri i Brendshëm i bëri një propozim konkret të premten e 24 marsit homologes së tij britanike Suella Braverman, për të amnistuar shqiptarët pa viza në Mbretërinë e Bashkuar, por që punojnë ndershmërisht dhe s’kanë rekorde kriminale në ngarkim.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Brendshme, duke cituar njoftimin për shtyp.

“Qasja jonë është se emigracioni i paligjshëm nuk mund të adresohet si problem pa përmirësuar kushtet e emigracionit përmes rrugëve legale. Në këtë pikë i kërkova homologes Braverman të rishikojnë edhe njëherë regjimin e trajtimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Britaninë e Madhe, për t’i lehtësuar në raport me mundësi të reja punësimi apo lëvizjet sezonale. I kërkova gjithashtu të amnistojë çdo shqiptar pa vizë, por që punon në mënyrë të ndershme dhe nuk ka rekorde kriminale në ngarkim”, theksoi zyrtari shqiptar.

Sipas tij, palët diskutuan mbi bashkëpunimin dypalësh për të adresuar çështje komplekse si emigracioni i paligjshëm dhe krimi i organizuar, fenomene transnacionale që kurrsesi nuk mund të identifikohen me etni të caktuara.

“Ndava me homologen time shqetësimin se është e patolerueshme që komuniteti shqiptar të veçohet dhe stereotipizohet vetëm nga disa personazhe të botës ilegale”, shtoi Çuçi.

Më tej gjatë takimit ai theksoi se e vërteta është se shqiptarët janë një komunitet vital dhe i integruar në Britaninë e Madhe.

Ministri gjithashtu vlerësoi asistencën dhe ekspertizën britanike në ngritjen e kapaciteteve tona dhe në mbështetje të modernizimit të Institutit të Policisë Shkencore.

Braverman reagoi në Twitter të premten e 24 marsit për takimin me zyrtarin e lartë shqiptar.

“Diskutim i rëndësishëm me Bledi Çuçin për kontributin e çmuar të komunitetit shqiptar në Britaninë e Madhe dhe progresin në kuadër të Komunikatës sonë të Përbashkët. Kjo përfshin trajtimin e krimit të organizuar serioz dhe kthimin e shtetasve shqiptarë, si ata që mbërrijnë me varka të vogla”, shkruante ajo.

Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për median shtetërore, BBC, sa i takon çështjes së emigrimit të jashtëligjshëm të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, i dënoi ashpër deklaratat e mëparshme të Braverman.

“Të turpshme”, i ka cilësuar ai ato, duke kujtuar se si të tilla fjali në politikë, janë diskriminuese për një popull.

“Fatkeqësisht, ne e kemi parë veten dhe komunitetin tonë duke u veçuar në këtë vend për qëllime politike. Ka qenë një moment shumë, shumë i turpshëm për politikën britanike”, theksoi kryeqeveritari shqiptar.

Ndër të tjera, ai shtoi se vërejtjet e Braverman, kanë qenë një “goditje e ulët”, ndërsa vullneti politik për të kapërcyer përkeqësimin e marrëdhënieve, mbetet i lartë.

“Ne gjithmonë do të refuzojmë ta kemi këtë përzierje mes disa kriminelëve dhe shqiptarëve si të tillë, sepse dhënia e një vule etnike krimit në vetvete është krim”, shtoi më tej ai.

Plani i Braverman

Sekretarja e Brendshme njoftoi më 7 mars një projekt-ligj të ri për migrimin e paligjshëm që do të thotë se emigrantët që mbërrijnë me varka të vogla do të “largohen me shpejtësi”.

Lajmi u bë i ditur nga botimet britanike “The Guardian”, “The Independent” dhe transmetuesi “Sky News”.

Suella Braverman i tha dhomës së ulët të Parlamentit britanik (Commons) se emigrantët “nuk do të ndalojnë së ardhuri këtu derisa bota ta dijë se nëse hyni ilegalisht në Britani, do të ndaloheni dhe do të largoheni me shpejtësi në vendin tuaj”.

“Dhe kjo është pikërisht ajo që do të bëjë ky projektligj. Kështu do të ndalojmë varkat”, shtoi me siguri zyrtarja britanike.

Sipas mediave britanike, ministrja e Brendshme vërejti se projektligji do të thotë se rishikimet gjyqësore të minutës së fundit “të kryera vonë natën pa asnjë mundësi për të marrë çështjen tonë apo edhe për të apeluar vendime” nuk lejohen më.

Ajo shtoi se “nuk mund të thotë përfundimisht” nëse projektligji i ri është në përputhje me ligjet e të drejtave të njeriut.

“Sigurisht, Britania e Madhe do të kërkojë gjithmonë të mbështesë ligjin ndërkombëtar dhe kam besim se ky projektligj është në përputhje me detyrimet ndërkombëtare”, nënvizoi Braverman.

Sipas planit të propozuar:
Njerëzit që mbërrijnë me varka të vogla do të ndalohen brenda 28 ditëve të para pa lirim me kusht ose shqyrtim gjyqësor dhe mund të ndalohen pas kësaj nëse ka një perspektivë të arsyeshme largimi.

Barra për të hequr ata që hyjnë ilegalisht do të jetë mbi sekretarin e brendshëm – për të ngushtuar “radikalisht” numrin e sfidave dhe apelimeve.

Vetëm ata nën 18 vjeç, ata që nuk janë të aftë nga pikëpamja mjekësore për të fluturuar ose në “rrezik real” të dëmtimit serioz në vendin ku janë zhvendosur do të mund të paraqesin një apel për të ndaluar dëbimin e tyre.

Çdo pretendim tjetër, duke përfshirë të drejtën për jetën private ose familjare, do të shqyrtohet nga distanca pasi të zhvendosen.

Njerëzit do të pengohen të përdorin ligjet moderne të skllavërisë për të kundërshtuar largimin e tyre.

Deportimi mund të shtyhet vetëm kur një person bashkëpunon me agjencitë e zbatimit të ligjit në hetimet e trafikimit.

Një kufi vjetor në numrin e njerëzve që hyjnë përmes rrugëve të sigurta – që do të vendoset nga parlamenti – do të “sigurojë një sistem të rregullt”.

Një ndalim i përjetshëm për vendosjen, shtetësinë dhe rihyrjen në MB për ata që janë hequr sipas skemës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore