Sport

Ç’u bë me Ligën Unike të Basketbollit Kosovë-Shqipëri që dikur proklamohej shumë?


U krijua me shumë nam, por Liga Unike doli të jetë një dështim, pas afërsisht dy vitesh që u krijua.

Formimi i ligës së përbashkët të basketbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës erdhi me shumë bujë, kur më 10 shtator 2020 dy krerët e federatave e nënshkruan këtë garë të përbashkët.

Megjithatë, ende pa filluar edicioni i tretë i kësaj “gare unike”, ajo dështoi. Më 18 nëntor 2022, Bordi Drejtues i Ligës Unike mori vendim që të pezullojë aktivitetin e garave për meshkuj, ndërsa do të vazhdojë me zhvillimin e aktivitetit në konkurrencën e femrave.

Sipas tyre, ishte i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë pas tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria: Tiranës dhe Teutës.

Pra, pritshmëritë për këtë ligë të përbashkët ishin të mëdha nga shumëkush në Shqipëri dhe Kosovë, derisa krerët e federatave ishin shumë optimistë për krijimin e kësaj gare.

Në emisionin “Tiranë-Prishtinë, ku gabuam” në Albanian Post, kryetari i FSHB-së, Avni Ponari dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, ishin të bindur se Liga Unike do të jetë ashtu sikurse vetë emri i saj.

I pari i Federatës Shqiptare të Basketbollit madje tha se vetëm medaljet e fituara nga xhudistet kosovare, janë më të rëndësishme se Liga Unike.

“Kjo është liga më e rëndësishme në sportin kombëtar, përveç atyre titujve që ka marrë Kosova në xhudo – shumë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët”, tha kryetari i FBSH-së, Avni Ponari në emisionin “Tiranë-Prishtinë, ku gabuam” në Albanian Post.

Megjithatë, ai e kishte të qartë që në fillim se për këtë ligë duhej mbështetje financiare.

“Duke qenë e tillë, do të thosha që kjo ligë duhet të trajtohet në të dy anët si një federatë në vete, pavarësisht se është pjesë e dy federatave, pra ajo duhet të ketë buxhetin e saj që duhet të mbështetet nga dyja qeveritë, në mënyrë që kjo të ketë jetëgjatësi dhe të garantohet jetëgjatësia”.

“Sepse në fund të fundit, sport cilësor dhe sport elitar ka atëherë kur ka mbështetje financiare”.

Pritshmëria ishte e madhe nga Ponari që kjo ligë do të shkonte mirë.

“Është shumë e rëndësishme për të dy palët sepse është liga e parë unike dhe unë jam shumë i kënaqur me emrin që i kanë vendosur, sepse tregon Liga Unike e një kombi dhe një ligë unike e përbashkët, një basketboll i përbashkët.

“Tani kemi filluar me dy grupet, meshkuj dhe femra dhe pastaj do të zbresim në të gjitha moshat”, ka thënë Avni Ponari.

Ponari, përveç bindjes se do të ketë rritje të madhe Liga Unike, kishte pritshmëri që edhe klubet mezi prisnin që liga të startone.

“Është një realitet që do të rritet dhe unë kam një bindjen që vetëm do rritet, sepse ajo forma dhe dëshira që ekziston jo vetëm tek ne që drejtojmë federatat por edhe tek ekipet, sepse pritet me shumë dëshirë ndeshjet në të dy anët dhe ka një rëndësi të veçantë”, shtoi Ponari.

Optimist se kjo ligë do të shkonte mbarë, ishte edhe kreu i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.

Ai madje kishte thënë se pritja ishte e gjatë për krijimin e kësaj lige, derisa shtoi se kishte lidhje basketbollistike edhe më herët mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Në kohën kur ne nuk kemi qenë fare në FIBA ka pasur ide dhe iniciativa të tilla prej Federatës Shqiptare të Basketbollit. I kane marrë lojtaret tanë më të mirë dhe kanë luajtur për Shqipërinë, ka pasur iniciativa që të sigurohet plasman në ndeshjet ndërkombëtare për ekipet nga Kosova përmes Shqipërisë etj., por kjo gjë ka qenë shumë e vështirë që te realizohet në atë moment”, tha Arbern Fetahu i ftuar në emisionin “Tiranë-Prishtinë, ku gabuam”.

Fetahu kishte thënë se presin më shumë ndihmë nga institucionet për këtë ligë, por shtoi se ata do ta vazhdojnë me apo pa ndihmën e shtetit

“Në një moment tjetër ne kemi arritur që ta jetësojmë ligën edhe po e mbajmë gjallë edhe po e funksionojmë në mënyrën më të mire të mundshme deri tash me fuqitë tona”, tha Fetahu.

“Tash është koha për tu institucionalizuar përkrahja edhe për të tregu vërtetë shtetet në të dyja anët e kufirit për të tregu seriozitetin drejt kësaj nisme e cila më së paku është e Arbenit edhe Avniut, është diçka mbarë kombëtare është diçka që duhet të ndiqet prej sporteve tjera, sepse ideja kryesore përfundimisht është kjo”, shtoi Fetahu.

“Nuk është ideja që ne ta rrënjosim basketbollin në të dyja anët e kufirit ose ta krijojmë ligën unike ti zgjeroj rrënjët në të dy anët sepse ne këtë do ta bëjmë me apo pa ndihmën e shtetit ne do ta bëjmë, por ndihma e shtetit unë jam i bindur që do të ekzistoj por ajo që duhet bërë është pikërisht ajo që e tha Avniu, që duhet të institucionalizuar edhe duhet strukturar edhe thënë që të krijojmë një etnitet të veçantë siç e kemi krijuar ne”, kishte thënë mes tjerash Arben Fetahu.

Kujtojmë që dy edicionet e para dhe të vetme të kësaj gare janë fituar nga dy ekipe kosovare.

Në edicionin 2021/22 u shpall kampion KB Golden Eagle Ylli, ndërsa në atë vijues, KB Peja arriti që të triumfojë.

Kaq ishte shija e Ligës Unike – një ligë e përbashkët që synonte të ishte e fortë, por nuk arriti të jetonte më shumë se dy vite.

Emisioni i plotë “Tiranë-Prishtinë, ku gabuam” në Albanian Post, ku ishin të ftuar Avni Ponari dhe Arben Fetahu.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore