Kosova

Cramon: Vëzhgova zgjedhje në Kosovë e Irak, por s’kam parë kurrë vjedhje masive sikurse në Serbi


Viola von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, gjatë një adresimi të enjten para eurodeputetëve për zgjedhjet e 17 dhjetorit të vitit të kaluar në Serbi, deklaroi se përgjatë 20 viteve si vëzhguese ndërkombëtare e proceseve elektorale, posaçërisht në vendet në tranzicion, asnjëherë nuk ka parë vjedhje masive të votave sikurse në Serbi.

Cramon, anëtare e misionit vëzhgues të PE-së, denoncoi edhe njëherë parregullsitë gjatë procesit të votimit, posaçërish votuesit ilegalë të ardhur në mënyrë të organizuar nga Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnjë-Hercegovinë – presionin e raportuar ndaj votuesve, gjuhën e urrejtjes dhe vjedhjen masive të votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet.

“Kam parë shumë zgjedhje – nga Kazakistani në Kosovë, nga Ukraina në Irak, megjithatë, që kur u bëra vëzhguese e zgjedhjeve 20 vjet më parë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë: migrim masiv i votuesve të SNS-së, transportim të votuesve me autobusë nga Republika Sërpska, presion ndaj votuesve… të jemi të qartë: këto zgjedhje janë të manipuluara dhe të vjedhura”.

Në Serbi ka nisur një valë e protestave të opozitës nga vera e vitit të kaluar, ndërsa kulmuan pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, për shkak të parregullsive serioze e rasteve të frikësimit, përfshirë edhe blerjen e votave nga SNS-ja, megjithëse presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mohuar akuzat për vjedhje gjatë procesit elektoral, duke anashkalur thirrjet për hetim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore