Kosova

Cramon pas takimit me Kurtin: Implementimi i planit të BE-së do t’i hapte Kosovës rrugën për në BE


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se implementimi i planit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, do t’i hapte rrugën Kosovës drejt bllokut evropian.

“Diskutuam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për dialogun me Serbinë dhe takimin e ardhshëm në Ohër”, shkroi ajo në Twitter.

“Përsërita mbështetjen e plotë për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbinë dhe e inkurajova të gjejë një mënyrë për të siguruar zbatimin, pasi me të vërtetë do të hapë rrugën përpara për Kosovën dhe Serbinë për në BE”.

Ndryshe, Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Francë, ka takuar edhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.

Kurti dhe eurodeputeti McAllister kanë biseduar për procesin e dialogut dhe sidomos për takimin që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut ku pritet të diskutohet plani i zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

“Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshje Bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhej në takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore