Lajme

Ç’po ndodh në Texas me ligjin e ri që ndalon abortin pas javës së gjashtë?


Në Texas, ligj i ri që ndalon lejimin e aborteve pas gjashtë javësh po manifestohet nga mbështetësit e tij, por nga aktivistët dhe mjekët që janë pro lënies në dorë gruas për të vendosur mbi një abort ose jo, është një ditë e errët.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se për aktivisten Eva Alpar, e cila qëndron jashtë një klinike që ofron një sërë shërbimesh shëndetësore, përfshirë abortet, është një ditë e mirë.

Si vullnetare te Koalicioni San Antonio për Jetën, ajo qëndron pranë klinikës duke ndjekur numrin e madh të makinave që vijnë çdo orë aty dhe u ofron ndihmë grave që hyjnë brenda për të marrë shërbime.

Duke i ndihmuar gratë, Alpar u jep atyre broshura që rendisin alternativat për një abort.

72 orë para daljes së ligjit të ri, ofruesit e abortit në këtë klinikë në Texas-in jugor kanë treguar se ka pasur shumë paciente, të cilat kërkonin të ndërprisnin shtatzënitë e tyre.

Mirëpo, me ligjin e ri, ndalohen në mënyrë efektive abortet pas gjashtë javësh.

“BBC” tregon se për Alpar-in, ligji i ri është një fitore e madhe.

“Kjo do të thotë që ne i detyrojmë ato të largohen nga Prindërimi i Planifikuar – një nga ofruesit më të mëdhenj të shërbimeve të abortit në Texas – dhe të shkojnë në qendrën e një gruaje”, për të diskutuar alternativat ndaj një aborti.

Kurse anëtarët e koalicionit kundër abortit janë shfaqur përsëri në klinikë, vetëm për ta gjetur atë të mbyllur për procedurat mjekësore.

Ndërkohë, në faqen e internetit të klinikës, shkruhet se “për shkak të ligjit të ri të Texas-it SB 8, ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë shërbimin e aborteve në këtë kohë. Ne po e sfidojmë këtë ligj dhe shpresojmë të rifillojmë kujdesin për abortin në të ardhmen”.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për Texas-in”, ka thënë Catherine Nix, drejtoresha ekzekutive e Koalicionit për Jetën, pasi foli shkurtimisht me një grua që pranoi një çantë prej saj.

Ajo ka shtuar se “ne jemi këtu çdo ditë duke u përpjekur t’i ndihmojmë gratë të zgjedhin jetën dhe sot ligji është prapa nesh për të na ndihmuar ta bëjmë këtë”.

“Synimi i të cenuarve”

Sipas “BBC”, ligji i ri, i cili rezulton një nga më kufizuesit e kombit, nuk ka për qëllim të ndëshkojë drejtpërdrejt gratë që kërkojnë abort.

Teksa ndalon abortet pas zbulimit të rrahjeve të zemrës së fetusit, ligji sugjeron që paditë mund të ngrihen nga qytetarët privatë kundër atyre që ndihmojnë, nxisin ose kryejnë aborte.

Kjo përfshin dikë që ndihmon një pacient të mbulojë koston mjekësore të ndërprerjes së shtatzënisë ose i siguron atij transport për të kryer procedurën. Gjithmonë nëse bëhet pas gjashtë javësh të shtatzënisë.

Ai mund të ndikojë te dikush si Bridget, e cila më parë ka qenë vullnetare me Rrjetin e Mbështetjes së Qasjes në Klinikë për t’i drejtuar pacientët në takimet e tyre të abortit.

“Ky projektligj po synon ato që tashmë nuk kanë burimet e nevojshme për të shkuar në një takim”, ka thënë ajo. Kjo përfshin shpesh gra me ngjyrë, nga familjet me të ardhura të ulëta, të cilat nuk mbështeten në një sistem mbështetës nga familjet ose partnerët e tyre.

“I gjithë qëllimi i projektligjit është të falimentojë organizatat si e jona dhe të mbyllë klinikat”, ka shtuar ajo.

Sipas Projektit të Vlerësimit të Politikave të Texas-it në Universitetin e Texas-it, ligji do të parandalojë tetë në 10 gra që të marrin kujdes aborti. Shumë prej tyre nuk e dinë që janë shtatzënë para gjashtë javëve të ravijëzuar në ligj.

“Kam frikë për të ardhmen time”

Doktoresha Ghazaleh Moayedi, e cila kryen aborte në Texas-in verior, ka treguar se ndihet e vënë në shënjestër.

Në 15 vitet që ajo ka punuar në kujdesin e abortit, ajo ka parë kufizime më të mëdha në shtet, por kurrë asgjë aq agresive sa ligji i ri mbi abortin.

“Nuk ka kuptim që ligjvënësit tanë këtu të vazhdojnë të ndjekin njerëzit për jetën e tyre personale, sepse kjo nuk është ajo për të cilën po flasim këtu”, ka thënë Moayedi.

Ajo ka shtuar se ligji do të ndalojë menjëherë qasjen në kujdes për 90 për qind të atyre që e shohin të nevojshëm abortin dhe se ato paciente ka të ngjarë të detyrohen të marrin në konsideratë daljen jashtë shtetit ose të vazhdojnë shtatzënitë e padëshiruara.

Dhe një nga frikërat e saj më të mëdha është për gratë që do të kërkojnë alternativa të rrezikshme për një abort mjekësor me ndihmën e një mjeku. Gjithashtu ajo ka frikë edhe për veten.

“Kam frikë për të ardhmen time dhe të ardhmen e karrierës sime si rezultat i kësaj”, ka treguar doktoresha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore