Bota

Covid 19/Të rinjve nën 30 vjeç do t’u ofrohet alternativë tjetër ndaj AstraZeneca-s


Kryeministri britanik Boris Johnson, i veshur me mjete mbrojtëse ndërsa provon pajisjet gjatë një vizite në strukturën AstraZeneca në Macclesfield, Angli, të martën më 6 prill 2021, për të mësuar më shumë rreth investimeve të tyre prej 500 milionë dollarësh

Tё rinjve nёn 30 vjeç do t’u ofrohet një vaksinё alternative anti-Covid 19 kundrejt asaj tё AstraZeneca-s, për shkak të provave që e lidhin atë me mpiksjen e rrallë të gjakut, sipas organit këshillues tё vaksinave të Mbretёrisё sё Bashkuar(MB).

Një përmbledhje nga rregullatori i barnave MHRA pёr gjetjet deri në fund të marsit tregonte se 79 njerëz në MB kishin pësuar mpiksje të rralla gjaku pas vaksinimit, 19 prej të cilëve kishin vdekur.

Rregullatori tha se kjo nuk ishte provë që vaksina kishte shkaktuar mpiksjen, por megjithatё thuhej se lidhja po bëhej më e fortë.

“Bilanci i përfitimeve kundrejt rreziqeve është ende shumë i favorshëm për shumicën e njerëzve. Por tek grupmoshat më të reja ishin nё tё njёjtin nivel”, u shpreh doktoreshё June Raine, nga MHRA.

Shqyrtimi bëri që grupi këshillimor i qeverisë për vaksinat (JCVI) të rekomandojë që njerëzve të moshës 18 deri në 29 vjeç t’u ofrohet një vaksinë alternative aty ku është e mundur.

“Vetëm ata që pësuan një nga këto mpiksje të rralla të gjakut pas dozës së parë nuk duhet të vaksinohen sёrisht me AstraZeneca”, tha MHRA.

Njerëzit me çrregullime të gjakut që i lënë ata në rrezik të mpiksjes duhet të diskutojnë përfitimet dhe rreziqet e vaksinimit me mjekun e tyre, pёrpara se të shkojnë tё vaksinohen.

Gati dy të tretat e rasteve të mpiksjeve të rralla janë parë tek gratë. Personat që vdiqën ishin të moshës midis 18 dhe 79 vjeç.

Si po vijon inokulimi me AstraZeneca?

Sidoqoftë, nuk ishte e mundur të identifikohej nëse mosha ose gjinia i bënte njerëzit më të rrezikuar nga këto mpiksje të rralla të gjakut.

Në ditë më parë një përgjegjës i Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) konfirmoi se ekziston “një lidhje” midis vaksinës AstraZeneca dhe rasteve që kanë pasur komplikacioneve pas marrjes së vaksinës.

Nga ana tjetër vende si Gjermania, Franca, Holanda, Kanadaja kufizuan përdorimin e vaksinës te të moshuarit. Norvegjia gjithashtu do të rishikojë politikat që do të ndjekë për vaksinën britanike. Shteti nordik pritet të vendosë më 15 prill mbi vazhdimin e vaksinimit me doza nga AstraZeneca.

Drejtori i Autoritetit të Shëndetësisë në Danimarkë, Soren Brostrom, bëri me dije për publikun më 26 mars se do të pezullojnë për tre javë të tjera vaksinën AstraZeneca të britanikëve pas hetimeve mbi dyshime se dozat e Oxford-it, shkaktojnë mpiksje gjaku.

“Shumë studime janë ndërmarrë, por ende nuk kemi një përfundim. Ndaj kemi vendosur të zgjasim pezullimin”, deklaroi Soren Brostrom.

Ndërkohë, shumica e vendeve që kishin ndërmarrë ndalimin e vaksinimit me AstraZeneca-n, e kanë rifilluar pas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më 27/03/2021.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore