Lajme

Covid-19/ Lehtësohen masat në Angli, Uells dhe pjesën më të madhe të Skocisë


Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, të hënën e 17 majit, u ka bërë thirrje njerëzve, që të vazhdojnë të tregojnë kujdes kundër përhapjes së coronavirus-it, në një kohë që rregullat e bllokimit po lehtësohen në Angli, Uells dhe pjesën më të madhe të Skocisë.

Tani njerëzit mund të shoqërohen në shtëpi, në një numër të kufizuar, të përqafojnë të dashurit dhe të shkojnë në pub-e dhe restorante brenda.

Ndalimi i udhëtimeve është hequr dhe është zëvendësuar me rregulla të reja.

Johnson deklaroi se “ne kemi arritur një tjetër moment historik në hartën tonë rrugore nga bllokimi, por duhet ta bëjmë këtë hap me një dozë të rëndë të kujdesit”.

Ndryshimet e rregullit vijnë, ndërsa varianti indian vazhdon të përhapet në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht në zona të nxehta, si Bolton në Manchester dhe pjesë të Londrës, Sefton dhe Worcestershire.

Jeremy Farrar, një anëtar i grupit të pavarur këshillimor shkencor të qeverisë Sage, tha se heqja e rregullave ishte “vendimi më i vështirë i politikave të 15 muajve të fundit apo më shumë”.

Për mediat angleze, ai tha se varianti, i cili mendohet të jetë më i transmetueshëm “po bëhet mbizotërues në pjesë të Mbretërisë së Bashkuar, dhe megjithatë vaksinimi në të gjithë vendin ka qenë jashtëzakonisht i suksesshëm”.

Ndërsa bllokimet po lehtësohen në të gjithë Anglinë, Skocinë dhe Uellsin, ndryshimet janë të ndryshme në secilin komb.

Në dy zona të Skocisë (Glasgow dhe Moray) nuk do të lehtësohen rregullat e tyre pas një rritjeje të rasteve.

Çdokush në Angli dhe Skoci mund të bëjë teste falas – të cilat japin rezultate në 30 minuta – edhe nëse nuk kanë simptoma.

Në Uells dhe Irlandën e Veriut, ato janë në dispozicion për njerëz të caktuar, të tillë si ata që nuk mund të punojnë nga shtëpia.

Si kanë ndryshuar rregullat?

Angli, njerëzit tani mund të takohen në ambiente të mbyllura në grupe deri në gjashtë ose dy familje, ose në grupe deri në 30 në natyrë.

Qëndrimet gjatë natës lejohen. Pub-et, baret dhe restorantet mund t’u shërbejnë klientëve brenda.

Muzetë, kinematë, zonat e lojërave për fëmijë, teatrot, sallat e koncerteve dhe stadiumet sportive mund të rihapen, ashtu si hotelet.

Udhëzimi i distancës shoqërore po ndryshon dhe kontakti me familjet e tjera, si përqafimet, është çështje e zgjedhjes personale.

Skoci (përveç Glasgow dhe Moray), njerëzit mund të takohen në ambiente të mbyllura, në grupe me nga gjashtë deri në tre familje. Në natyrë, deri në tetë persona nga tetë familje mund të përzihen.

Vende argëtimi, të tilla si kinema, teatro dhe salla bingo, u hapën përsëri dhe deri në 100 persona lejohen në ambiente të brendshme. Pub-et dhe restorantet shërbejnë alkool në ambiente të mbyllura deri në orën 22:30.

Po ashtu, në Uells baret dhe restorantet shërbejnë brenda dhe klientët mund të takohen në grupe deri në gjashtë familje.

Të gjitha akomodimet për pushime u rihapën. Gjithashtu edhe kinematë, rrugicat e bowlingut, muzetë, galeritë dhe teatrot u rihapën.

Asnjë ndryshim në shoqërimin në ambiente të brendshme. Kjo është ende e kufizuar në familjet e zgjeruara, ku dy familje mund të takohen me njëra-tjetrën dhe të kenë kontakt fizik.

Pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar

Irlanda e Veriut do të rishikojë rregullat e bllokimit më 20 maj, me shpresën se disa mund të hiqen më 24 maj.

Sipas ekspertëve, varianti indian përhapet më lehtë, por të dhënat e hershme sugjerojnë që vaksinat ende funksionojnë.

Sidoqoftë, ndikimi i saktë në efikasitetin e vaksinës – nëse ka – duhet të konfirmohet ende.

Në fundjavë, Shoqata Mjekësore Britanike, e cila përfaqëson mjekët, tha se ishte një “shqetësim i vërtetë” që lehtësimi po vazhdonte ende, ndërsa varianti indian po përhapej dhe shumë të rinj nuk ishin vaksinuar.

Shifrat e fundit të qeverisë tregojnë se 1 mijë e 926 raste të tjera me Covid janë regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa katër të tjerë kanë vdekur.

Numri i njerëzve, që kanë marrë një dozë të parë të vaksinës, tani ka kapërcyer 36.5 milionë, ndërsa numri i dozave të dyta të dhëna është 20.1 milionë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore