Lajme

Covax shpërndan vaksina në 100 vende të botës


Mekanizmi i shpërndarjes së vaksinave, Covax, ka shpërndarë tashmë doza anti-Covid në 100 vende të botës.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryekomisionerja Evropiane, Ursula von der Leyen, nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Kjo është një arritje e madhe. Jam krenare për ekipin evropian dhe kontributin për këtë përpjekje dhe solidaritet global”.

“Beteja jonë e përbashkët kundër Covid-19 vazhdon. Kjo, për t’u siguruar se asnjë nuk do të lihet pas dore”, përmbyll postimin kryemisionerja.

Mekanizmi Covax u krijua pas fillimit të pandemisë, në mënyrë që të gjitha vendet e botës të kishin akses në dozat e vaksinave që luftojnë coronavirus-in.

Gjithsesi, probleme të shumta ka hasur edhe ky mekanizëm. Jo gjithmonë dozat janë gjendur për t’u shpërndarë. Gjithashtu, vonesa të shumta janë hasur pavarësisht porosive.

Ndër kompanitë më kontribuuese në mekanizëm, është ajo AstraZeneca. Këta të fundit, nuk kanë përmbushur gjithnjë porositë.

Debate janë krijuar nga pala britanike, ku kërcënime ka pasur nga kryeministri Boris Johnson, se vaksinat e Oxfordit fillimisht duhet t’i shpërndahen britanikëve dhe më pas të eksportohen.

Bashkimi Evropian, iniciator i mekanizmit Covax, ka kritikuar ashpër këto deklarata të Johnson-it. Vetë von der Leyen-i, ka theksuar më parë se “AstraZeneca duhet të përmbushë detyrimet themelore për porositë e BE-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore