Sport

Conference League/ Finalja në “Air Albania” dhe “mikpritja” nga hotelet


Për herë të parë në historinë e saj futbollistike, Shqipëria do të jetë vendi pritës i një finaleje të një kompeticioni ndërkombëtar si “Conference League”.

Me rëndësi kjo për vendin tonë, pasi, siç e cilësoi edhe kryeministri Edi Rama, Shqipëria plotëson tanimë të gjitha kushtet për të pritur ndeshjet ndërkombëtare.

“Niveli i sigurisë, shërbimit, ushqimit, nami ndërkombëtar i Tiranës, janë sot pakrahasimisht më mirë se sa deri para disa vitesh”, ravijëzonte Rama në median sociale “Facebook”.

Një tjetër e veçantë në “finalen historike” të së mërkurës së 25 majit, është fakti se kjo finale, në të cilën italianët e Roma-s do të përballen me holandezët e Feyenoord-it, është para e këtij kompeticioni.

Sakaq, në Shqipëri priten të vijnë edhe mijëra tifozë nga të dy ekipet.

Mirëpo, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, për Albanian Post thotë se disa ditë para finales së madhe në Shqipëri, “tifozët kanë filluar të ankohen tek UEFA, për rritjen e çmimeve të hoteleve”.

Rritja e çmimeve në hotele

Kështu Albanian Post, me një kërkim të thjeshtë në faqen e internetit “Booking”, evidentoi se shfaqen hotele ku akomodimin për dy veta në natën e finales e kanë mbi 1 mijë euro.

Ndërkohë, i njëjti hotel, e njëjta dhomë, në të njëjtën datë, por në muajin qershor, ka vlerën e 20-40 eurove.

Raste të tilla janë të shumta, më poshtë të paraqitura me imazhe janë vetëm disa. Çmimet e hoteleve janë krahasim i datës 25-26 maj me datën 25-26 qershor.

Sipas Kasës, ky fenomen “është një imazh shumë i shëmtuar i destinacionit, i vendit tonë”.

Ndër të tjera, ai shton se Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pesë vite që lobon për ta bërë këtë aktivitet në Tiranë dhe “mendoj se nuk do të ketë një rast të dytë”.

Ditën e finales, sipas projeksioneve, në Tiranë pritet të mbërrijnë 90 mijë tifozë nga Italia dhe Holanda.

Prandaj, Kasa shprehet dyshues kur thotë se “Tirana nuk i ka aq kapacitete, janë një kontingjent goxha i madh”.

“Abuzimi me çmimet prish gjithë imazhin e vendit tonë, teksa ne shqiptarët jemi mikpritës. Ku është kjo mikpritje?” vijoi ai.

Përballë këtyre çmimeve “në stratosferë” të dhomave të hoteleve, Kasa tha se tifozët italianë kanë filluar të ankohen tek UEFA.

Reagimet

Reagime kanë ardhur edhe nga kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, i cili e ka konsideruar situatën si “lojë e turpshme dhe e padenjë”.

Ai i bëri thirrje kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj dhe Ministrisë së Financave për të rikthyer çmimet në normalitet.

“Imazhi i turizmit në Tiranë po cenohet rëndë. Po shiten dhomat e hoteleve (për datën 25-26 maj) me çmime nga 600-9 mijë euro/nata për një ndeshje sporti që duhet të jetë një manifestim i vlerave të Kryeqytetit të Rinisë 2022. Ftoj z. Veliaj dhe Ministrinë e Financave të angazhohet seriozisht për të kthyer normalitetin”.

Së fundmi, të martën e 10 majit, në lidhje me situatën e mësipërme, ka reaguar edhe Autoriteti i Konkurrencës.

Autoriteti paralajmëron se të gjithë ato struktura që do të ngrenë çmimet për të përfituar nga ndeshja do të ndëshkohen me gjoba.

Në njoftim gjithashtu këshillohen bizneset që “të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos” dhe “të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta”.

Stadiumi “Air Albania”
Sa kushton një biletë për finalen e Conference League?

Biletat sakaq kanë dalë zyrtarisht në shitje.

Ka katër kategori për çmimin e biletave. Kategoria e katërt kushton 25 euro. E treta 45 euro. E dyta 85 euro. Dhe e para 125 euro.

Biletat e rezervuara për tifozët me aftësi të kufizuara janë në dispozicion për 25 euro, së bashku me një biletë falas për personin shoqërues.

Stadiumi, i cili pret finalen “Air Albania”, ka kapacitet 21 mijë e 600 vende, por për arsye sigurie do të reduktohet në 19 mijë vende.

Përveç biletave që u janë shpërndarë dy klubeve finaliste, do të ketë dhe 8 mijë e 500 bileta për publikun.

Përballë kësaj panorame me rritjen e çmimeve të hoteleve, ankesave të tifozëve, reagimeve dhe kundër-reagimeve, mbetet për t’u parë imazhi “mikpritës” i Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore