Shqipëria

COD-i ekspozon koleksionin e rrallë të surrealistit Gjelosh Gjokaj


Për herë të parë Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) sjell imazhet artistike me tipare emblematike dhe narrative të Maestro Gjelosh Gjokaj.

Në ambientet e Kryeministrisë do të jenë të ekspozuara 73 vepra, pjesë e koleksionit më të madh të mjeshtrit të grafikës, në retrospektivë duke nisur nga viti 1961 deri në 2013.

Kuratori i kësaj ekspozite Shkëlzen Maliqi u shpreh se Gjelosh Gjokaj dhe artistët e tjerë të formatit të tij meritojnë vëmendje edhe më të madhe të shoqërive tona respektive dhe të rajonit që e konsiderojnë atë si ‘artist të merituar’ dhe model për brezat e ardhshëm.

“Sot kemi diversitet të mundësive për organizimin e ekspozitave dhe COD-i bën pjesë në këtë diversitet, por do duhej të kishim si në shoqëritë e zhvilluara dhe më të pasura edhe institutet përkatëse që do të punojnë në krah të artistëve si bartës të ideve dhe vlerave me rëndësi për një shoqëri kreative dhe të përparuar”, solli ai në vëmendje.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi artistin “një bohem që pëlqente shumë të ndante hapësirën ku jetonte me miq, të ftuar, vizitorë”.

“Kam pasur privilegjin që të kaloj disa ditë të gjatë, por edhe netë në studion e Gjeloshit në Augsburg. Kam kaluar një moment shumë të rëndësishëm diskutimesh pune, kemi punuar së bashku në atelie, kemi ndarë historitë tona. Më pas kemi vazhduar të jemi në kontakt, jemi takuar përsëri e përsëri kemi pasur edhe evenimentin e ekspozitës së tij të madhe këtu në Shqipëri”, kujtoi kreu i Qeverisë.

Ai shtoi se ka fatin të ketë së bashku me bashkëshorten e tij Lindën, shumë pak krahasuar me këtë koleksion, praninë e Gjokajt në shtëpinë e tij.

“Ky koleksion është shumë i rrallë, nuk mund të shfaqet dhe nuk mund të shihet çdo ditë dhe ndërkohë është koleksioni i një historie të bukur i një artisti që mbetet ende për t’u zbuluar në detajet e veta. Gjelosh Gjokaj ishte një ndër ato personazhe ku nuk merret vesh ku mbaron jeta e përditshme e njeriut dhe ku fillon arti sepse të dyja bashkë jetonin të ndërthurura me njëra-tjetrën”, theksoi Rama.

Sipas tij, Gjokaj  ishte i gjithi i dhënë mbas artit, nuk kishte agjent që të kujdesej për punët apo ekspozitat e tij, nuk ishte i interesuar fare për aspektin komercial, “nuk pikturonte për të jetuar por jetonte për të pikturuar”.

“Jeta e tij ishte fare e thjesht por njëkohësisht ishte edhe e plotë për të qenë në lartësinë e bujarisë së tij për të kaluar kohë me miq edhe me biseda”, përmbylli Rama.

Piktori u nda nga jeta në moshën 83- vjeçare, pa pengje artistike, duke lënë pas mbi 3 mijë vepra arti në pikturë dhe grafikë.

Nga Mali i Zi, në Prishtinë, në Romë e më pas në Gjermani, Gjokaj do të merrte prej ngado një copëz, për ta kthyer në art.

“Krijimtaria e Gjelosh Gjokajt e përqendrua kryesisht në pikturë, grafikë dhe vizatim, përbën një opus tërësor artistik, por që ndahet në disa faza zhvillimore estetike dhe stilistike me dallueshmëri të theksuara. Kjo tregon se botëkuptimet dhe qasjet e tij kanë ndryshuar gjatë gati 6 decenieve të punës kreative. Ashtu si jeta e tij ndahet në disa faza (rinia në Milesh afër Tuzit në Mal të Zi, studimet në Vojvodinë, Kosovë dhe Beograd, puna pedagogjike në Prishtinë, pastaj 14 vjet në Romë dhe nga vitet ’80 në Ausburg të Gjermanisë), ashtu edhe vepra e tij ka prerje të hetueshme”, shkruante asokohe Maliqi.

Ky i fundit e përshkruan Gjelosh Gjokajn si “një nomad modern që i bredhte poshtë lartë relacionet mes Ballkanit, Mediteranit, Apenineve dhe Bavarisë, Gjokaj do të kërkonte dhe zhvillonte një profil artistik me karakteristika të përbëra, nga njëra anë profil dinamik dhe kërkues, dhe nga ana tjetër, i fiksuar në tema identitare dhe të individualitetit, që nëse nuk ishin me figura dhe imazhineri statike, atëherë fokusoheshin në ca përshtatje lëvizëse”.

Në shkurt të vitit 2011, për Gjokajn erdhi dita që aq shumë e kishte pritur, të ekspozonte në Tiranë.

Kuruar nga Parid Teferiçi, solli “Shejzat”, një koleksion me 37 vepra (51 punë), shumica në teknikën e akuatintit, akrilikut në letër, dhe akrilikut në pëlhurë, si dhe një cikël grafike e vizatimi, kryesisht i përmasave të vogla dhe intime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore