Kosova

Clark sot në Kosovë


Wesley Clark

Wesley Clark, gjenerali amerikan në pension, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë, ku do të takojë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili pritet t’ia ndajë dekoratën “Dr. Ibrahim Rugova” për rolin historik dhe kontributin personal gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Clark, i cili gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999 shërbeu në pozitën e komandantit suprem të aleatëve evropianë të NATO-s, do të vizitojë Kosovën në 25 vjetorin e çlirimit. E përveç kreut të LDK-së, akoma nuk dihet nëse ai do të takojë ndonjë përfaqësues tjetër të politikës kosovare.

Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ish-shefi ushtarak i NATO-s viziton Kosovën. Clark ka qenë komandant i përgjithshëm i forcave evropiane të NATO-s, në kohën e bombardimeve të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), që filluan më 24 mars 1999 dhe përfunduan më 10 qershor 1999.

Për shkak të rolit në çlirimin e Kosovës, shumë rrugë mbajnë emrin e Clarkut. Megjithatë, përveç shtatoreve, rrugëve e bizneseve, kontributi i figurave kryesore amerikane që sollën lirinë e Kosovës para 25 vjetësh është shënuar edhe në një mënyrë tjetër, duke pagëzuar fëmijët për nder të tyre.

Kosova sivjet shënoi 25-vjetorin e Lirisë apo Çlirimit – atëherë kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache-t” amerikanë përmbi qiell, në kuadër të trupave paqeruajtëse të aleancës veriatlantike, filluan marshimin triumfal në Kosovë – pas fushatës 78 ditore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore