Lajme

Clark, Kouchner e Walker në mesin e dëshmitarëve në rastin e Thaçit në Hagë


Hashim Thaçi

Gjenerali Wesley Clark, diplomati Bernard Kouchner, ambasadori William Walker, janë vetëm disa nga emrat të cilët pritet të japin dëshminë e tyre në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin e gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, bërë publik emrat e 8 diplomatëve të lartë ndërkombëtarë të cilët do të jenë në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën Speciale, pasi janë në moshë të shtyrë.

Gjykata Speciale ka propozuar që para fillimit të gjykimit ndaj Thaçit të dëgjohen nëntë dëshmitarë ndërkombëtarë të mbrojtjes, të cilët janë të moshuar ose të sëmurë, e të cilët kanë qenë në Kosovë apo Shqipëri gjatë periudhës 1998 – 1999.

Përveç Weslej Clark e William Walker, diplomatët që do të dëshmojnë në rastin e Thaçit në Hagë janë ish-drejtori i Departamentit të OSBE-së për Arsimim dhe Zhvillim të Policisë në kuadër të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Steve Bennett.

Jock Covey, ish-zëvendës i parë i Misionit të OKB-së në Kosovë. Michael Durkee, ish-këshilltar politik i komandantëve supremë aleatë të NATO-s në Evropë. Daan Everts, ish-shefi i zyrës së OSBE-së në Tiranë dhe pastaj i Zyrës së OSBE-së në Prishtinë.

Bernard Kouchner, ish-përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Administratës së Përkohshme të OKB-së në Kosovë.

Wesley Clark, Bernard Kouchner, William Walker

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore