Lajme

Çka nënkupton “vetëmenaxhimi” për serbët në Kosovë – autonomi territoriale apo kuluturore?


Mitrovica e Veriut

Martin Klatt, drejtor i grupit për studimin e minoritetit danezo-gjerman në Qendrën Evropiane për Çështjet e Minoriteteve (ECMI), në një intervistë për Albanian Post, ka shtjelluar termin “nivel i përshtatshëm i vetëmenaxhimit” për të cilin janë pajtuar të shtunën kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë.

“’I duhur/përshtatshëm”’ është një term që i mungon kuptimi ose thelbi dhe varet nga interpretimi politik. Mund të variojë nga autonomia kulturore në autonomi territoriale, por nuk nënkupton të drejtën për këtë të fundit”, tha profesor Klatt.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, të shtunën në Ohër janë pajtuar për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve së dakorëdusar më 27 shkurt në Bruksel, pas rreth 12 orë diskutimesh, që u përcoll me pauza e me rikthime në tavolinën e diskutimit.

Një nga pikat më problematike për Kosovën ka qenë neni shtatë i dokumentit të Bashkimit Evropian, i cili përcakton aranzhimet specifike, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Pala kosovare dhe ajo serbe dhanë interpretime të ndryshme për nenin shtatë të planit franko-gjerman, për të cilin shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, theksoi se duhet të nis menjëherë të zbatohet.

Kryeministri Kurti tha se neni shtatë flet për “vetëmenaxhim” të komunitetit serb dhe që nuk del përtej kornizës ligjore e kushtetuese të Kosovës, por për presidentin serb, kjo nënkupton ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në këtë kontekst, profesor Klatt theksoi se së pari rajonet autonome kanë nevojë për një madhësi të caktuar territoriale për qëndrueshmëri ekonomike dhe të funksionojnë më vete, gjë që nuk e arrinë dot Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Prandaj, nënvizoi ai, asociacionet e komunave nuk formojnë domosdoshmërisht rajone autonome brenda një hapësire territoriale të një shteti ekzistues. Megjithatë, sipas tij, rreziku nuk vjen nga vetë njësia autonome, por nga mundësia e aneksimit të pjesës veriore të Kosovës nga Serbia.

“Në këtë rast, do të argumentoja, nuk është aq shumë secesioni/shkëputja, por aneksimi/bashkimi me Serbinë ai që është kërcënimi i perceptueshëm. Kjo do të dëmtonte rëndë parimin e integritetit territorial të çdo shteti siç parashikohet në Kartën e OKB-së, si kusht kryesor për paqen botërore”, tha ai.

Gjithashtu, siç nënvizoi studiuesi i minoriteteve në Evropë, asocaicionet e komunave mund të zhvillojnë praktika të ndryshme administrative brenda përgjegjësive komunale, zakonisht dispozitat e shkollave, shërbimeve komunale, transportit publik, planifikimit hapësinor, por nuk mund të devijojnë nga ligji kombëtar.

“Pakicat kombëtare mund të fokusohen në organizatat kulturore që punojnë për të siguruar të drejtën e pakicave për të përdorur gjuhën e tyre, të kenë shkolla në gjuhën e tyre dhe të zhvillojnë kulturën e tyre, duke përfshirë lidhjet me shtetin farefisnor”, potencoi profesor Klatt.

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, vlerësohet të jetë një mekanizëm i dytë i madh për serbët e Kosovës – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e komunitetit serb, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Lexojeni intervistën e plotë të Albanian Post me Profesor Martin Klatt nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve:

Intervistë | Martin Klatt nga Qendra Evropiane për Çështjet e Minoriteteve: Asociacionet nuk formojnë rajone autonome – Aneksimi i veriut nga Serbia perceptohet si kërcënim real

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore