Lajme

Çka është akciza dhe pse Qeveria e Kosovës refuzon ta largojë?


Ilustrim

Lajmet e shumta ditët e fundit për rritjen e çmimeve në Kosovë e kanë futur termin “akcizë” në modë. “Hiqeni akcizën” i thonë shumë veta qeverisë, pa e ditur shumë mirë se pse të hiqet, çka hiqet me të dhe përse qeveria refuzon ta bëjë?

 

Pra, çka është akciza dhe çfarë roli luan te çmimet?

“Akciza është tatim indirekt në mallra të cilat konsiderohen si mallra që kanë kosto shtesë për qytetarët dhe nuk janë esenciale. Për shembull mallrat që kanë efekt në ambient apo mallrat që janë të dëmshme për shëndetin, si duhani”, ka shpjeguar Shpend Ahmeti, ish-kryetar i Komunës së Prishtinës dhe profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare, në një prononcim për Albanian Post.

“Fjala akcizë vjen nga holandishtja dhe do të thotë taksë detyrimi”.

“Qëllimet kryesore janë të demotivojnë përdorimin e një malli dhe të rrisin të hyrat për qeverinë”, shpjegon Ahmeti.

“Koston e bën konsumatori, ndërsa dallon nga TVSH edhe në faktin që caktohet për njësi e jo si përqindje. Pra 50 centë për litër p.sh”.

Shpend Ahmeti, Profesor i Ekonomisë Politike Ndërkombëtare

Aktualisht halli me akcizën është të çmimi i naftës. Rritja e madhe e cimeve të derivateve ka bërë që qytetarët, por edhe partitë opozitare të kërkojnë heqjen e kësaj takse.

Nëse hiqet, atëherë ulet çmimi i derivateve, thotë ekonomisti Erton Bega, për Albanian Post.

Një litër naftë në Kosovë kushton rreth 1.82 euro nga 1.49 sa ishte një javë më parë. Heqjen e akcizës për naftën dhe disa mallra/produkte të tjera qeverisë ia kanë kërkuar edhe partitë opozitare në Kosovë.

Krerët e shtetit ende nuk kanë komentuar gjë, por naftëtarëve nuk u ka pëlqyer propozimi, edhe “ata s’pësojnë asgjë nëse i hiqet akciza produktit të naftës në Kosovë”, thotë Bega.

“Përkundrazi këta dhe çdo biznes që lirohet nga akciza përfiton, pasi produktet e tyre dalin më lirë në treg”.

Erton Bega, Ekonomist

Përveç TVSH-së, akcizë kanë vetëm disa kategori të produkteve.

Mallrat e konsumit (benzine); mallra luksoze dhe sende të markës;

Produktet që të shkaktojë dëm në shëndetin e njeriut, si duhani e alkooli dhe veturat.

Akciza u vihet atyre produkteve të cilave duhet tu rritet çmimi për të reduktuar kërkesën e tyre.

 

Por, pse s’e heqë Qeveria?

Sepse do ndikonte në uljen e buxhetit. Prandaj.

Buxhet mbi të cilin qeveria ka llogaritur dhe hartuar plan program për realizim projektesh.

Në vitin 2021, 20 për qind e pranimeve në buxhet kanë ardhur pikërisht nga akciza.

“Kur nuk ka buxhet, qeveria duhet të heq dorë prej projekteve. Zakonisht heq dorë prej projekteve kapitale fillimisht. Hyn në një zinxhirë pasojash pastaj. Kur ndalen tenderët, s’ka punë. Hiqen punëtorët nga puna, bie konsumi, bie rritja ekonomike, pra krijohet një rreth vicioz”, shpjegon Bega.

Se shteti siguron rreth 20 për qind të buxhetit e thotë edhe ish kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por ai shton se në raste të veçanta heqja e saj duhet të bëhet pa diskutim.

“Rreth 20 për qind të buxhetit pra 460 milionë. Se a duhet të hiqet është e thjeshtë. A ka nevojë për këto pagesa qeveria apo qytetarët?”, pyet retorikisht Ahmeti.

“Kur shteti ka suficit atëherë duhet të ulet ose në rastin e krizës kur qytetarët kanë nevojë”.

Nëse do ta hiqte akcizën për këto produkte ‘luksi’, Kosova s’do ishte rasti i parë.

“Sot një numër shtetesh po e ulin akcizën për shkak të çmimeve, Irlanda për shembull”, thotë Ahmeti, duke shtuar se rritja e çmimeve ishte pikërisht arsyeja edhe atje.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, Albin Kurti, nuk ka folur për heqjen potenciale të akcizës. Ai veç ka treguar se qeveria ka arritur të ndajë 50 milionë subvencione për bujqit, ndër to, pesë milionë për naftën të cilën ata do ta shfrytëzojnë në bujqësi, por nuk ka folur asgjë për uljen e akcizës as për naftë e as për miell, si një nga produktet esenciale.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore