Kosova

Çitaku viziton krerët e UÇK-së në Hagë: E vërteta dhe drejtësia do të ngadhënjej përballë shpifjeve


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku bashkë me deputetë të tjerë kanë vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

Vizitën e ka bërë të ditur Çitaku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot bashkë me Bekimin, Artanin e Arlindën e vizituam Presidentin Thaçi. Shkurt takuam edhe Kadriun dhe Rexhën”.

“Procesi gjyqësor pritet të fillojë së shpejti. Besojmë që e vërteta dhe drejtësia do të ngadhnjejë përpallë shpifjeve dhe inskenimeve”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, beteja aktuale me të cilën po ballafaqohen ish krerët e UÇK-së do të kalohet dhe ata do të kthehen si “fitimtarë”.

Ish krerët e UÇK-së.

“Beteja të cilën baca Jakup, Thaci, Veseli e Selimi e kanë para vetës është betejë për të kaluarën dhe të ardhmen tonë si komb”.

“Por nuk ka dilemë se maskat do të bien, dhe luftëtarët tanë do të kthehen fitimtarë”.

Ajo ka shtuar se, “vetëm njerëzit e jashtëzakonshëm ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme”.

Për çka akuzohet ish-krerët e UÇK-së?

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’)”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore