Lajme

Çitaku, Osmanit: Fol Presidente, a po e mbështet kursin konfrontues të Kurtit?


Vlora Çitaku dhe Vjosa Osmani

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të deklarohet publikisht pas kritikave të ashpra në drejtim të Qeverisë së Kosovës nga ana e ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Sipas saj është momenti i fundit që Osmani, si bartëse e politikës së jashtme të deklarohet publikisht, a e mbështetë kursin konfrontues të Kurtit, apo mendon ndryshe.

“Fol Presidente, kësaj radhe, heshtja nuk është flori”, ka shkruar ajo në platformën sociale në Facebook.

Për ish-ambasadoren e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e qartë se ekzekutivi kosovar nuk ka asnjë koordinim me Amerikën.

“Seanca e Këshillit të Sigurimit shpërfaqi në formën më brutale këtë mos-koordinim. Dhe për çka? Për dinarë e fletushka. Ky popull e ky vend, në koordinim me aleatët ka larguar tankset serbe. Është çliruar, është pavarësuar. Është njohur nga mbi 100 shtete”.

Vetëm pak kohë pasi Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, vlerësoi Kosovën –  sipas Albin Kurtit –  për progresin ekonomik dhe demokratik, kjo konsideratë tashmë është përmbysur, pas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë së Kosovës për të vepruar sipas udhëzimeve të komunitetit ndërkombëtar për këtë çështje.

Dëshmi për këtë është intervista e fundit e dorës së djathtë të Madeleine Albright dhënë për Zërin e Amerikës, ku si asnjëherë më parë artikuloi kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, duke cilësuar Kurtin si të “paaftë” në qeverisje.

Me një gjuhë shumë të drejtpërdrejtë që jo shumë diplomatë kanë guximin ta përdorin, O’Brien tregoi se Kurti u kishte dhënë premtime ndryshe për çështjen e dinarit, por më pastaj ka vepruar ndryshe në terren duke vënë në pikëpyetje kështu edhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur se a ka biseduar me Kurtin për shqetësimet e SHBA-ve lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit – valutë shtetërore e Serbisë – në territorin e Kosovës, numri një i amerikanëve për Evropën deklaroi se “kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”.

Në pyetjen se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, top-diplomati amerikan ka potencuar se ai “ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.

Por, çudia në sytë e tij ka ndodhur më pas kur Kurti krye në vete – ndryshe nga çfarë ka premtuar – ka proceduar me vendimin.

“Qartazi vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere”, vlerësoi ai.

Pjesa më problematike e kësaj interviste ishte pyetja pasuese e gazetarit dhe deklarata shqetësuese e me një mesazh të rëndë e O’Brien, i cili, si kurrë më parë, vuri në pikëpyetje marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien kur u pyet se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj.

Më tej duke potencuar se vendimi i BQK-së ka zënë në befasi komunitetin serb në Kosovë, O’Brien ka vlerësuar se “kjo nuk është formë e qeverisjes efektive” dhe se një gjë e tillë tregon “paaftësinë e Qeverisë së Kosovës”.

Të jesh pjesë e Evropës, sipas tij, nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim.

“Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”.

Prandaj sipas tij, Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, meqë në vlerësimin e tij shtyrja e vendimit për tre muaj nuk është e mjaftueshme.

“Pra jo, duhet ta ndërpresin menjëherë këtë dhe pastaj të punojmë drejt zgjidhjes së problemit konkret, që ata duan të zgjidhin, ashtu siç veprojnë shtetet moderne evropiane”.

Kritika si asnjëherë tjetër të Amerikës për Kryeministrin e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore