Kosova

Çitaku, Kurtit: Do mbahesh mend si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës Veriore


Vlora Çitaku

“Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës”, ka thënë Vlora Çitaku.

Këto komente, Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Kurti, në 11-vjetorin e Marrëveshjes Kosovë-Serbi, goditi ish-kryeministrin Hashim Thaçi – i cili ka qenë nënshkrues i saj.

“Kryeministri Kurti iu paska rikthyer sot përsëri marrëveshjeve të vitit 2013 dhe vitit 2015 – ato që numri dy i partisë së tij, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se janë të mira dhe të dëshiruara”, ia rikujtoi fillimisht Çitaku Kurtit.

Gjithsesi, sipas Sekretares së PDK-së, “në interes të tij dhe për pak oksigjen ditor politik, ai qenka mundu me u marrë prapë me Presidentin Thaçi, ani pse ai po bën tri vjet e gjysmë i mbyllur në Hagë – në mbrojtje të luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”.

“Është e pabesueshme se si një gjë Kryeministri Kurti nuk e ka kuptuar ende. Që Hashim Thaçi, edhe kundër vullnetit të tij, do të mbahet mend si Kryeministri i Pavarësisë së Kosovës”, shtoi.

Nga ana tjetër, për Çitakun Marrëveshje Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, 18 mars 2023), të cilin Kurti e ka dokorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, “i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë”.

“Ndërkaq, për këtë pjesën tjetër të qeverisjes, s’kemi çfarë të themi”, pohoi.

Ajo ia bëri me dije kryeministrit se nëse Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institucionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit, “trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit”.

“Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak”, potencoi.

Ndryshe, Kurti, në 11 vjetorin e Marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë (19 prill, 2013), e nënshkruar nga ish-kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, dhe ai serb, Ivica Daçiç, ka thënë se njëjta në njërën anë, shkelte Kushtetutën e Kosovës e, në anën tjetër, u shkel nga Serbia.

Këto komente, Kurti i ka bërë në postim në Facebook. Ai kritikoi marrëveshjen e 2013, ndërsa nga ana tjetër u mburr me Marrëveshjen Bazike (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), që e ka dakorduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, e cila, sipas Kurtit, adreson gjetjet e Gjykatës Kushtetuese ndaj Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti në 11 vjetorin e marrëveshjes Kosovë-Serbi thotë se dakordimi i tij me Vuçiç-in adreson gjetjet e Kushtetueses për Asociacionin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore