Lajme

Çitaku i quan “përndjekje politike” bastisjet e Speciales: Kjo s’është drejtësi


Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Pas bastisjeve që po bëhen nga Specialja e ku të premten është bastisur shtëpia e ish këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar duke thënë se këto përndjekje janë politike.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se s’mund të konsiderohet se kjo çfarë po bën Specialja është drejtësi.

“Kjo nuk është drejtësi. Kjo është përndjekje. Persekutim. Dje Blerimi e Bashkimi. Sot Artani. Nesër nuk e di”.

“Po ajo që po shihet sheshazi është që kjo është përndjekje politike”, ka shkruar ajo.

Gjykata Speciale të martën ka vazhduar me bastisje në shtëpinë e ish-këshilltarit të ish presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Bastisja në shtëpinë e Behramit, ka ndodhur një ditë pasi që ai kishte kritikuar Gjykatën Speciale se është duke dënuar vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë “fashiste”.

“Gjykata Speciale është fashiste, sepse përndjek, arreston dhe dënon vetëm shqiptarët. Prokuroria është në panik! Po humb çdo betejë juridike! Ndërsa, gjykata në përpjekje për të ndihmuar prokurorinë, seancat tragjike-komike po mundohet t’i mbulojë me spektakle”.

“Bastisja e shtëpive të kolegëve, Blerimit dhe Bashkimit, është skandaloze dhe e paprecedent!”, ka shkruar Behrami të martën.

Sipas tij, qasja e prokurorisë është një dëshmi e qartë se ka një tendencë për të njollosur të gjithë shqiptarët që kanë dhënë kontribut për liri dhe shtetndërtim.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar të hënën për Albanian Post se është duke zhvilluar “operacione të vazhdueshme” në Kosovë.

Pamje nga bastisjet që po bëhen në banesën e ish këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Artan Behrami.

Derisa ka njoftuar se po asistohet nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) përgjatë këtyre operacioneve.

Një bastisje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ndodhur të hënën në mëngjes në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltar politik i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për krime të pretenduara lufte në Hagë të Holandës.

Aksioni i njëjtë është kryer edhe në shtëpinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Bashkim Smaka, i cili për një kohë ka shërbyer gjithashtu në ekipin këshilldhënës të ish-presidentit Thaçi.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Specialja bastis shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behrami

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore