Lajme

Cilën krizë ta zgjedhim, që ta zgjidhim njërën?


Ilustrim.

Kohëzgjatja e pandemisë COVID-19 përveç dëmeve në jetë njerëzish ka dërrmuar edhe ekonomitë e shumë vendeve, sidomos të atyre shteteve ku bilancet nuk janë aq pozitive edhe ne situata normale, prandaj Sekretari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Arian Vranica, deklaron se në këtë periudhë përtej krizës shëndetësore, nevojitet vëmendje e theksuar në krizën ekonomike.

“Kriza ekonomike është shumë më e rëndësishme në këtë momentum që jemi”, argumenton ai në një intervistë për Albanian Post, duke iu referuar edhe faktit se varianti më i ri i virusit, Omicron, përkundë se ka shkallë të lartë të infektimit, fatalitetin nuk e ka të së njëjtës lartësi.

Vranica, për t’i dhënë vetës të drejtë, thirret edhe në rekomandimet që sugjerohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat ftojnë për një hapje në të mirë të ekonomisë.

“Është e sugjerueshme edhe nga ekspertë shëndetësorë që të ketë lirim të masave dhe është e domosdoshme që të ketë pikërisht për nevojën ekonomike sepse kriza ekonomike te bizneset është vetëm duke u rënduar”.

Problemet e gastronomeve, shton ai, janë shumë dimensionale. “Ka krizë të punëtorëve, krizë të kredive, si dhe ulje të aftësisë blerëse të konsumit”.

Ilustrim.

Edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Bullgari, Skender Syla, pohon për Albanian Post se trajtimi i krizës ekonomike është i rëndësisë paralele me masat për zbutjen e krizës shëndetësore.

“Pandemia na ka mësuar po ashtu se politika e mirë e konsideron shëndetin tonë dhe ekonominë së bashku dhe jo ndaras apo si interesa konkurruese. Qasja e balancuar në adresimin e krizës shëndetësore dhe asaj ekonomike është rruga që duhet ndjekur për të pasur pasoja sa më të vogla”, thotë Syla.

Duke ritheksuar faktin se megjithatë shëndeti i individit dhe shoqërisë duhet të mbesin primar, Syla deklaron se “pandemia ka ndryshuar botën”.

“Jetët dhe mjetet e jetesës kanë humbur dhe ekonomitë e shoqëritë janë prekur rëndë”.

“Pandemia ka nxjerrë  në sipërfaqe po ashtu vijat e thyerjeve politike dhe pabarazitë dhe dobësitë në sistemet shëndetësore kombëtare. Shëndeti i individit dhe shoqërisë janë parakushte te domosdoshme edhe për zhvillimin ekonomik dhe përparimin e një vendi, rajoni dhe gjithë globit”.

Pandemia COVID-19 në Kosovë dhe masat e vendosura për të e parandaluar.

Për ekonomistin, Erton Bega, edhe kriza ekonomike si dëm final ka përkeqësimin e shëndetit të një shoqërie të tërë.

“Kriza ekonomike sjell varfëri dhe indirekt dëmton shëndetin mendor”, thotë ai, duke shpjeguar se ndërlidhshmëria e ekonomsië dhe shëndetit të dëmtuar përshkallëzohet vazhdimisht.

“Për shkak se rritet pasiguria e qytetarëve për vendet e punës dhe për rrjedhojë qytetarët ndryshojnë sjelljet e tyre si konsumatorë duke zvogëluar konsumin e cila thellon krizën ekonomike edhe më shumë”.

Edhe pse, parandalimi i krizave ekonomike sipas tij është pothuajse i pamundur, shteti ka mundësi që të paktën të ndihmojë në uljen e dëmeve.

Kjo mund të bëhet “përmes paketave ekonomike dhe sociale që ndihmojnë grupet shoqërore dhe bizneset që preken më tepër”, sqaron Bega për Albanian Post.

Ndërsa, thotë se pasojat e pandemisë Coronavirus janë duke vazhduar ende edhe në Kosovë edhe pse me shifra tregohet një rritje ekonomike.

Ndryshe, rreth 40 mijë punëtorë e kanë humbur vendin e punës dhe 64 mijë persona e kanë lëshuar vendin e punës për shkak të mostrajtimit adekuat nga institucionet në vitin 2021.

Masat e reja anti-COVID19 në Kosovë

Më 21 janar, Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja për luftim të pandemisë COVID-19.

Sipas njoftimit të ministrisë së Shëndetësisë, shtetasit e Kosovës mund të hyjnë në Kosovë duke qenë të vaksinuar vetëm me dy doza, pa pasur nevojë të testit negativ PCR.

Nëse nuk i kanë dy doza, ata duhet t’i nënshtrohen karantinës për shtatë ditë, është thënë mes tjerash në njoftim.

Certifikata e vaksinimit në Kosovë.

Maqedonia e Veriut ka qenë një prej vendeve të para që u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës të krijojnë lehtësira për hyrje në këtë shtet.

Sipas masave të reja, kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.

Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë

Më 28 janar, ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka raportuar katër vdekje si dhe tre mijë 617 raste të reja të infektimit me COVID-19.

Këto raste pozitive kanë dalur pas testimit të 13 mijë e 928 mostrave. Nga kjo shifër i bie se 25.96 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19.

Aktualisht në Kosovë janë 31 mijë e 21 raste aktive me COVID-19.

Gjatë këtyre 24 orëve, është bërë e ditur se janë dhënë katër mijë e 316 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht me dy doza të vaksinës janë 804 mijë e 251 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore