
Numri i ushtarëve të KFOR-it në Kosovë, ndër vite është zvogëluar, pas përmirësimit të situatës në Veri.
Mirëpo, pas rritjes në Veri të Kosovës në pesë ditët e fundit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur për rritjen e numrit të trupave, duke shtuar se numri i tyre mund të rritet edhe më shumë, për të qetësuar dhunën në Veri.
Afër 4 mijë paqeruajtës të misionit të Organizatës së Traktit të Atlantikut Verior (NATO), KFOR, vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë, për dallim nga e kaluara kur ishin 50 mijë.
Mandati i KFOR-it në Kosovë, buron nga rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 10 qershor 1999, ndërsa detyra e tyre është që të ofrojnë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë komunitetet në Kosovë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Përmes kësaj marrëveshje parashihej tërheqja e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse ndërkombëtarë.
Marrëveshje kjo që u nënshkruar mes KFOR-it dhe autoriteteve të ish-Jugosllavisë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe.
Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet se prania ndërkombëtare e sigurisë e cila do të ketë pjesëmarrje të konsiderueshme të forcave të NATO-s, “duhet të vendoset nën një komandë dhe kontroll unik dhe të autorizohet për ta krijuar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë si dhe ta lehtësojë kthimin e sigurt të te gjithë refugjatëve dhe të personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre”.
Po ashtu në këtë rezolutë theksohet se, “trupat ndërkombëtare kanë për mandat që të sigurojnë tërheqjen e trupave jugosllave dhe parandalimin e kthimit të ushtrisë jugosllave në Kosovë, të policisë dhe forcave paramilitare”.
Aty thuhet se paqeruajtësit duhet të, “çmilitarizojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe grupet e tjera të armatosura të shqiptarëve të Kosovës”.
Në fillim të mandatit të tyre KFOR-i kishte detyra, disa prej të cilave vazhdojnë të jenë siç janë: Ndihma në kthimin dhe vendosjen e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, çmimin dhe rindërtimin, ndihmën mjekësore, sigurinë dhe rendin publik, mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë.
Edhe sigurinë kufitare, ndalimin e trafikimit ndërkufitar të armëve, zbatimin e programit të gjerë të Kosovës për amnistinë për armët, municionin dhe eksplozivët, rendin dhe ligjin, sistemin gjyqësor dhe penal, proceset zgjedhore dhe aspektet e tjera politike, jetën ekonomike dhe sociale në Kosovë.
“Vëmendje e posaçme vazhdon t’i kushtohet mbrojtjes së minoriteteve. Këtu përfshihen patrullimet e rregullta afër enklavave të minoriteteve, pikat e kontrollit, përcjellja që u ofrohet grupeve të minoriteteve, mbrojtja e objekteve të trashëgimisë, sikurse manastiret, si dhe donacionet, që përfshijnë ushqim, veshmbathje dhe pajisje shkollore”, thuhet në ueb-faqen e KFOR-it.
Përveç detyrave fillestare, më 2008, NATO u pajtua që misioni i saj në Kosovë të kishte disa detyra shtesë, në koordinim me institucionet e rëndësishme në Kosovë.
Ndër detyrat e reja që iu kishte dhënë misionit ishte edhe të asistonte në krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe trajnimin e pjesëtarëve të kësaj force.
“FSK është një forcë vullnetare e armatosur lehtë. Përgjegjësia e parë e saj për detyrat e sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë, sikurse përgjigja ndaj emergjencave, shpërthimi i kontrolluar i eksplozivëve, menaxhimi i materialeve të rrezikshme, fikja e zjarrit dhe mbrojtja civile”, thuhet në përshkrimin që i bën KFOR-i FSK-së.
Njohësi i fushës së sigurisë në Kosovë, njëherësh ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, deklaroi se Policia e Kosovës mban përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në territorin e Kosovës.
“Por, për çështjet e mbrojtjes nga një agresion i mundshëm, e ka rolin KFOR-i. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë e armatosur, është në fazën e tranzicionit, gjegjësisht të formësimit të saj dhe nuk e ka këtë mandat”.
“Pra, KFOR-i ka një mandat superior krahasuar me institucionet vendore tjera të sigurisë”, tha ai.
KFOR-i është reaguesi i tretë për çështjet e sigurisë, pasi në rend të parë është Policia e Kosovës, pasur nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX).
Përveç këtyre detyrave, KFOR-i zhvillon edhe iniciativa për ngritjen e kapaciteteve me organizatat e sigurisë në Kosovë, siç është transferimi gradual i sigurisë për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore te Policia e Kosovës.
Në Kushtetutën e Kosovës, thuhet se pavarësisht dispozitave tjera të aktit më të lartë juridik të shtetit, prania ndërkombëtare ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, “përfshirë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të 26 marsit të vitit 2007”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Avokati i të dyshuarit për terrorizëm: Është caktuar paraburgimi për një muaj
-
Deputeti gjerman për Vuçiçin: Gënjeshtra element qendror i veprimit të tij
-
Koncesioni në shëndetësi, grupi i Berishës dorëzon kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor
-
RENEA blindon Mirditën pas vrasjes në Rrëshen – 3 të plagosur në spital
Lajmet kryesore
-
Policia e Kosovës, për pak ditë, e shpëtoi shtetin dhe Albinin
-
RENEA blindon Mirditën pas vrasjes në Rrëshen – 3 të plagosur në spital
-
Rusia sulmon diplomatikisht Armeninë, gjithë fajin e dështimit të negociatave ia hedh Pashinyan-it
-
Osmani: Afrimi na bindi se flijimi i jetës për atdheun është rilindje, jo vdekje