Cilat janë koalicionet e arritura për zgjedhjet e nëntorit?
SHFLETO
Ilustrim
Mërgesa Redenica
09.11.2021 7:30
Loading Icons...
Marrëveshjet në mes partive politike për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, veçse kanë filluar.
Kandidatët për kryetarë komunash tashmë kanë filluar shpalosjen e programit të tyre që do të zgjatë për pesë ditë me radhë.
Ndërkohë, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale pritet të mbahet të dielën e 14 nëntorit.
Koalicioni në komunën e Prizrenit
Nisma Socialdemokrate, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, për ta mbështetur kandidatin e kësaj partie, Shaqir Totaj, në garë për Kryetar të Komunës së Prizrenit, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
“NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren, në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të raundit të parë me 17 tetor, si dhe në frymën e përcaktimit për një qeverisje ndryshe në qytetin tonë, ka vendosur që në balotazh me 14 nëntor, të mbështet kandidatin Shaqir Totaj”, thuhet në komunikatën e Nismës.
Në anën tjetër Kandidati për kryetar komune nga AKR, Afrim Tejeci përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë tonë, AKR Dega në Prizren ka marrë vendim të unifikuar që në raund të dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të Komunës së Prizrenit , të mbështes kandidatin e Partisë Demokratike, Shaqir Totaj”.
Koalicioni në komunën e Malishevës
Po ashtu, PDK ka arritur marrëveshje me AAK në Malishevë për balotazhin e 14 nëntorit.
“Me përfaqësuesin e AAK së në Malishevë Kastriot Berisha, dhe bashkëpunëtorët e tij arritëm marrëveshje për mbështetje dhe bashkëqeverisje në Komunën e Malishevës”, ka njoftuar PDK Malishevë.
“PDK-ja dhe AAK-ja do të jenë bashkë në rundin e dytë dhe në qeverisjen e Malishevës. Bashkimi jonë ka për qëllim përfshirjen e sa më shumë qytetarëve dhe ideve për një Malishevë të zhvilluar, duke e bërë fitoren e 14 nëntorit sa më të madhe”, ka njoftuar PDK Malishevë.
Koalicioni në komunën e Junikut
Ndërkaq, Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Përmes një postimi në Facebook, Shehu ka thënë se ditëve në vijim do të publikojnë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025.
“LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës”, është shprehur Shehu.
Koalicioni në komunën e Kamenicës
AAK dega në Kamenicë ka vendosur që të mbështesë në balotazhin e 14 nëntorit, kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, Kadri Rahimaj.
Lajmin e bëri publik nëpërmjet Facebook, Faton Jakupi.
“Sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues së AAK dega në Dardanë, duke u bazuar në Statutin e saj dhe me shumicë votash, vendosëm që në garën e balotazhit në zgjedhjet për kryetar të komunës ta përkrahë kandidatin e VV”.
Koalicioni në komunën e Vitisë
Ndërkaq, në komunën e Vitisë është arritur koalicioni në mes LVV-së dhe AAK-së.
Dega e AAK-së në Viti ka njoftuar se ka marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të Komunës së Vitisë do ta mbështesin kandidatin e LVV-së, Arsim Ademi.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate në një postim në Facebook nga AAK-ja.
“Kryesia e AAK-së, dega në Viti, me të gjithë strukturat e saj është në mbështetje të fuqishme për Dr. Arsim Ademin, për Kryetar të Komunës së Vitisë, çdo deklarim ndryshe nga cilido individ, që është ndryshe nga vendimi/vullneti i Kryesisë së Degës është opinion personal dhe nuk paraqet qëndrimin zyrtar të Degës”, thuhet në njoftim.
Koalicioni në komunën e Gjilanit
Ndërkohë, AAK ka dalë në mbështetje të LDK-së, përkatësisht kandidatit Lutfi Haziri.
“Përmes kësaj deklarate, Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK, dega në Gjilan konfirmon vullnetin e të gjithë anëtarësisë së saj për mbështetje fuqishme për Lufti Haziri, pë Kryetar të Komunës së Gjilanit”, thuhet në njoftimin e AAK-së.
Përveç AAK-së, edhe AKR ka vendosur që ta përkrahë Hazirin në zgjedhjet lokale të 14 nëntorit.
“Miku im Luta është adresa e duhur për qytetarët e Gjilanit, të cilët duan qeverisje zhvillimore, praktike, e të afërt me qytetarët. Andaj, i ftoj të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e AKR në Gjilan që ta mbështesim kryetarin Lutfi Haziri, si adresën e vetme politike në krye të kësaj komune të rëndësishme të Kosovës”, ka shkruar kryetari i AKR-së në Facebook, Behgjet Pacolli.
Koalicioni në komunën e Fushë – Kosovës
LDK-ja ka marrë mbështetje edhe në zgjedhjet e balotazhit për kryetar të komunës së Fushë Kosovës.
Kjo është bërë e ditur me anë të një komunikate për media nga AAK të cilët kanë kërkuar nga votuesit e tyre që të përkrahin kandidatin e LDK-së, Burim Berisha.
“Pas konsultimit me të gjitha strukturat dhe anëtarësinë e AAK-së në Fushë Kosovë kemi marrë vendim që në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar të Komunës së Fushë Kosovës të mbështesim kandidatin e LDK-së Burim Berishën”, thuhet në njoftim.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 17 komuna kanë arritur fitore për kryetarë të komunave pa shkuar në raundin e dytë, ndërsa 21 të tjera kaluan në balotazh.