Lajme

Cila do jetë përgjigja libaneze ndaj negociatorit amerikan mbi marrëveshjen detare me Izraelin


Shpesh thuhet se djalli është në detaje. Libani, megjithatë, mbetet optimist për përfundimin e afërt të një marrëveshjeje për demarkacionin e kufirit të tij detar me Izraelin. Kjo marrëveshje duhet t’u mundësojë të dy vendeve të ecin përpara në shfrytëzimin e fushave të mëdha të gazit në Mesdheun lindor.

Pallati i Baabda-s (pallati presidencial) gumëzhinte si koshere bletë të hënën. Aty u zhvilluan dy takime për të diskutuar propozimin e ndërmjetësuesit amerikan, Amos Hochstein, i dorëzuar autoriteteve të shtunën përmes ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Bejrut, Dorothy Shea.

Teksti parashikon që zona e dhënë Libanit të kufizohet me linjën 23, por Bejruti merr gjithashtu të gjithë fushën e gazit në Qana, e cila tejkalon në jug zonën e kufizuar nga linja 23.

Së pari, mbledhja e komitetit teknik përgjegjës për dosjen, ku u shqyrtuan të gjitha vërejtjet e ngritura të propozimit amerikan, që më pas i përpiloi në një raport të vetëm.

Së dyti mbledhja e presidentëve te tre poleve të pushtetit për disa minuta përpara se t’u bashkoheshin anëtarët e komitetit teknik për të zhvilluar një përgjigje të unifikuar. Kjo përgjigje – e cila do të hartohet nga komiteti teknik dhe do të miratohet nga tre polet e pushtetit – do t’i dorëzohet negociatorit Hochstein “brenda 24 orëve të ardhshme”.

Një përgjigje përfundimtare para fundit të javës.

Sipas një burimi për të përditëshmen libaneze “L’Orient le Jour” që ndjek nga afër rastin, përgjigja do të jepet të martën në mëngjes në orën amerikane. “Z. Hochstein do ta diskutojë atë në të njëjtën ditë me izraelitët. Presim përgjigjen e tyre deri në fund të javës”, tha ajo.

Nga aty, ndërmjetësi amerikan do të dërgojë raportin e tij përfundimtar. Kryeministri në largim, Nagib Mikati, deklaroi për shtypin se marrëveshja ishte “në rrugën e duhur”, duke siguruar se qëndrimi libanez ishte “i unifikuar në interes të Libanit”.

Vërejtjet e Libanit

Një tjetër burim i ‘L’Orient le Jour” deklaron që Libani dëshiron të bëjë ndryshime në disa fjali pa prekur thelbin e marrëveshjes që është diskutuar me Amos Hochstein. Megjithatë, Libani dëshiron që ato të shtohen në tekstin e propozimit përfundimtar në mënyrë që të shfaqen në dekretin që do t’i dërgohet më pas Kombeve të Bashkuara.

Sipas informacionit të marrë nga “L’Orient le Jour”, pika e parë thekson se fusha e Qana-s është nën sovranitetin libanez dhe se Izraeli nuk ka fuqi t’u japë leje anijeve përgjegjëse për eksplorimin e fushës ose, më vonë, eksportin e gazit. Vetëm Kombet e Bashkuara do të informohen nga Libani dhe ato do të informojnë palën izraelite.

Pika e dytë ka të bëjë me mekanizmin e veprimit gjatë periudhës së gërmimit. Bejruti beson se këto detaje duhet të përfshihen në tekst, në mënyrë që Izraeli të mos ketë aftësinë për të penguar operacionet e ardhshme të kryera nga Libani.

Sa i përket pikës së tretë, është një garanci ndërkombëtare që asnjë palë nuk do të mund të tërhiqet nga marrëveshja dhe kjo për shkak të mosmarrëveshjeve ndër-izraelite rreth kësaj dosjeje.

Pika e katërt nënvizon refuzimin e Bejrutit për të paguar ndonjë kompensim financiar ndaj Izraelit. Një nga kompanitë në konsorciumin përgjegjës për eksplorimin dhe shfrytëzimin e hidrokarbureve në det të hapur në zonën ekskluzive ekonomike të Libanit (EEZ) mund të veprojë si ndërmjetës duke paguar vetë palën izraelite. Me shumë gjasë ky ndërmjetës mund të jetë Total.

Vërejtjet përfshijnë gjithashtu disa pika shumë teknike në lidhje me detajet e kontaktit.

Pika e pestë dhe më e rëndësishme ka të bëjë me zonën e sigurt të pretenduar nga izraelitët (zona midis “vijës së bovave” dhe linjës 23). Burimi i cituar më sipër siguron në lidhje me këtë se nuk do të ketë zonë të sigurt apo zonë tampon nën sovranitetin izraelit. “Nuk mund të them më shumë, por mund të them se propozimi origjinal i zotit Hochstein që ‘vija e bovave’ do të shënojë kufirin detar të Izraelit nuk është më në tryezë,” tha ajo. “Linja e bovave”, e cila shtrihet 6 kilometra nga Ras Naqoura, u vendos nga Izraeli pas tërheqjes së tij nga Libani jugor në vitin 2000. Me miratimin e linjës 23 si kufi zyrtar detar, kjo linjë gjendet në anën libaneze”

Dhe burimi vazhdon: “Kjo që po ndodh është në interes të Libanit, i cili nuk do të bëjë asnjë lëshim për sovranitetin e tij. Do të gjendet një formulë e përshtatshme që do të ruajë sigurinë dhe stabilitetin në këtë fushë. »

Asnjë partneritet

Nëse të dy vendet arrijnë një marrëveshje, ata nuk do të nënshkruajnë një traktat, pasi teknikisht janë në gjendje lufte.

Do të krijohet një mekanizëm për regjistrimin e demarkacionit të kufirit në Kombet e Bashkuara. Është e mundur që një seancë bisedimesh indirekte mes të gjitha palëve do të fiksohet në selinë e UNIFIL-it, në Naqoura, për të shqyrtuar detajet e fundit teknike, hartat në mbështetje dhe për të paraqitur versionin përfundimtar.

Kjo më pas do të nënshkruhet nga të dy vendet në fletë të veçanta. Përfaqësuesit nga Kombet e Bashkuara dhe Uashingtoni do të duhet gjithashtu të nënshkruajnë të dyja kopjet. Në nivel libanez, Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe Ministrat e Punëve Publike dhe Mbrojtjes do të iniciojnë dokumentin, i cili do t’i dërgohet OKB-së, në formën e një dekreti të ri për përcaktimin e kufirit detar në zëvendësimin e tekstit aktual.

Presidenti libanez, Michel Aoun, siguroi dje se “nuk do të ketë partneritet me palën izraelite”, duke shtuar se gjiganti francez “Total” është ai që supozohet të fillojë operacionet e kërkimit.

Konflikti për zonën detare

Izraeli dhe Libani janë në mosmarrëveshje për kufirin që ndan Zonat e tyre Ekskluzive Ekonomike (ZEE), një zonë në det të hapur që njëri nga vendet mund të pretendojë për nxjerrjen e burimeve.

Gjatë 15 viteve të fundit, bazuar në vlerësimet se fushat pranë bregdetit izraelit mund të përmbajnë 34.5 trilion metra kub gaz, Izraeli ka vazhduar të zhvillojë rezerva të gazit natyror në brigjet e tij, disa prej të cilave pretendohen nga Libani.

Izraeli pretendon se kufiri detar midis dy vendeve shkon më në veri sesa pretendon Libani si Zonë Ekskluzive Ekonomike.

Linja 29 e pretenduar nga qeveria libaneze i jep Bejrutit 1430 km katrorë, në vend të 860 km katrorë të linjës 23 të miratuar në 2011.

Në ato kilometra katrorë në vitin 2013, u zbulua një rezervë gazi e njohur si Karish.

Më 5 qershor, Izraeli vendosi Energean Power, një anije lundruese për nxjerrjen dhe depozitimin e gazit në fushën e gazit Karish, duke shkaktuar një ndezje të tensioneve midis dy vendeve, të cilat nuk kanë arritur kurrë paqen mes tyre dhe as që njohin kufijtë e tyre tokësorë.

Mosmarrëveshja mes dy kombeve vazhdon prej vitesh dhe në periudhën e fundit është acaruar nga prania e gazit natyror.

Bejruti është kundër shfrytëzimit të fushës deri në zgjidhjen e problemit, ndërsa nga ana e tij, Izraeli, i cili e konsideron Karishin pjesë të ujërave të tij, do të dëshironte të nisë prodhimin ndoshta deri në fund të vitit.

Zgjidhja e mosmarrëveshjes mund t’i bëjë të disponueshme rezervat e rëndësishme të gazit në një kohë kriza energjitike është e fortë në shumë vende të botës.

Kjo është arsyeja pse Libani iu drejtua Shteteve të Bashkuara për të kërkuar ndërmjetësimin në bisedimet mes dy vendeve.

Sipas “Reuters”, Libani i ka propozuar ndwrmjetwsit amerikan Amos Hochstein, një kompromis për një zonë që përfshin një tjetër rezervë gazi, Qana-n, duke hequr dorë nga të gjitha pretendimet ndaj Karishit, por në të njëjtën kohë kërkon që punimet në fushë të ndërpriten derisa të mos arrihet marrëveshja.

Sipas “Orient le Jour”, Izraeli është i gatshëm t’i dorëzojë Libanit të gjithë fushën e supozuar të hidrokarbureve të Qana-s. Në këmbim, shteti hebre kërkon kompensim financiar, të cilin Bejruti ka refuzuar ta japë.

Një nga kompanitë e konsorciumit që kishte fituar serinë e parë të licencave të kërkimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në det të hapur të nisur nga Libani, mund të vepronte si ndërmjetës në këtë çështje duke i paguar vetes kompensimin për palën izraelite.

Konsorciumi tani përfshin kompaninë franceze “Total” dhe italianen “Eni”, pas tërheqjes së kompanisë ruse “Novatek” nga grupi, e cila përmendi arsye “ekonomike dhe financiare”, përveç “risqeve politike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore