Kosova

Chollet po vjen në Kosovë e Serbi për të kuptuar një gjë


Derek Chollet

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiç, ka vlerësuar se qëllimi i vizitës së ardhshme të këshilltarit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, në rajon është që të shihet nëse është e mundur të fillohet një dialog politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Janjiç deklaroi se Chollet – i cili do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë nga 11 deri më 13 janar – “do të takohet me fakte të njohura dhe detaje dhe incidente të reja”, por se, siç vlerësoi ai, kjo nuk e dëmton agjendën e tij politike.

“Unë mendoj se Chollet dhe të tjerët (në delegacionin amerikan) po vijnë me idenë për të parë nëse kushti për të filluar një dialog politik është përmbushur dhe mendoj se përfundimi do të jetë se është larg dialogut politik, ky është gjykimi im, por le të presim”, pohoi Janjiç.

Ai vuri në dukje se “do të jetë shumë më interesante se çfarë do të thotë Chollet”, dhe jo çfarë “do t’i thonë atij”.

Janjiç beson se administrata amerikane “për momentin nuk mund të ofrojë asgjë që Escobar dhe të tjerët nuk e kanë njoftuar, ose që Christopher Hill nuk e ka thënë”.

Sipas tij, do të shtrohet edhe pyetja nëse përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ndërmend të kthehen në institucionet e Kosovës, veçanërisht në veri.

Dushan Janjic

Ai shtoi se pyetja është nëse Beogradi, “i cili ka kontribuar shumë në vakumin e sigurisë, duke tërhequr policët (serbë) nga veriu, barrikadat dhe shtrëngimin e atmosferës përmes deklaratave të politikanëve, ka ndërmend të ndalojë së vepruari”.

Analisti serb vuri në dukje se Beogradi nuk është i kënaqur me përgjigjen e KFOR-it lidhur me refuzimin e kthimit të forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

Vizita e Chollet

Më 11 janar, Chollet fillimisht vizitën e tij do ta nis në Shkup, ku do të bisedojë me përfaqësuesit e qeverisë për një sërë çështjesh, përfshirë energjinë, ekonominë dhe luftën kundër korrupsionit.

Më pas, Cholet do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të diskutojë me përfaqësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile për përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimeve euroatlantike, se si “përmes dialogut me mbështetjen e BE-së të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus njohjen reciproke”.

Ndërkaq më 12 janar, ai do të jetë në Beograd, ku me lidershipin serb do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Pos Cholet, në kryeqytetin kosovar gjatë muajit janar pritet të zbarkojë edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore