Shqipëria

Chollet përshëndet Floreta Faber, pas mbylljes së misionit të saj diplomatik


Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka përshëndetur ish-ambasadoren shqiptare në SHBA, Floreta Faber, pas përfundimit të mandatit të saj në krye të misionit diplomatik.

“I thamë mirupafshim Floreta Faber teksa mbylli tetë vite produktive si Ambasadore e Shqipërisë në SHBA. Ne diskutuam integrimin në BE, mbrojtjen kibernetike dhe bashkëpunimin tonë në UNSC”, shkruan zyrtari i lartë amerikan në median sociale “X”.

Chollet garantoi se partneriteti SHBA-Shqipëri mbetet i fortë dhe autoritetet amerikane presin shumë vite të tjera suksesi.

Ambasador i ri i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara do të jetë ish-deputeti socialist Ervin Bushati, i cili duhet të paraqesë kredencialet e tij para presidentit amerikan Joe Biden.

Kush është Floreta Faber?

Floreta Faber ka lindur në Shkodër, më 19 mars të vitit 1968.

Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, në Sferën e Qarkullimit në vitin 1990.

Nga viti 1993 deri në vitin 1995 ka studiuar Masterin 2-vjeçar në Programin Shkencor për Marketing dhe Strategji Ndërkombëtare në Shkollën Norvegjeze të Menaxhimit në Oslo, Norvegji, duke përfshirë një periudhë studimi si student shkëmbyes në Universitetin Shtetëror të Washington-it.

Diploma e saj Master në Marketing dhe Menaxhim Operacional është dhënë nga MB University, në Shqipëri.

Ajo ka ndjekur disa programe dhe trajnime ekzekutive, si Programi Ndërkombëtar i Udhëheqjes së Vizitorëve të Departamentit të Shteteve dhe Universitetit të Harvard-it, duke u fokusuar në programet e lidershipit, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, menaxhimit, negociatave, llogaridhënies në qeverisje, protokolleve shtetërore dhe zhvillimit të biznesit.

Faber punoi si Drejtoreshë Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri që nga hapja e saj në vitin 2000.

Në këtë funksion Faber ka bashkëpunuar ngushtë me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare dhe amerikane, organizatave ndërkombëtare si BE-ja dhe organizatat e biznesit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe më gjerë.

Ajo ka qenë e rëndësishme për vetë organizatën dhe për zhvillimin e funksioneve si kapaciteti advokues i komunitetit të biznesit në Shqipëri.

Përvoja e punës e bëri atë të bëhet e njohur dhe eksperte në disa fusha, si: marrëdhëniet me publikun dhe qeverinë; lehtësimin e tryezave të rrumbullakëta dhe negociatave; menaxhimi i organizatave drejt suksesit; avokim në nivelet më të larta të qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe qarqeve diplomatike; duke luajtur një rol të madh në sjelljen e eksperiencave amerikane dhe të tjera ndërkombëtare në mjedisin shqiptar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore