Sport

Chelsea rivalizon Manchester United-in për Varane-n


The Sun raportoi ditën e shtunë se garës për qendërmbrojtësin e Real Madrid-it, Raphael Varane-n i është bashkuar edhe Chelsea. Për francezin ka pasur interes të vazhdueshëm nga Manchester United-i.

27-vjeçari po hynë në vitin e fundit të kontratës me Real-in dhe në horizont nuk ka shenja rinovimi. Madrilenët e dëshirojnë ta mbajnë në ekip kampionin e Kupës së Botës, por nëse ai nuk rinovon do të nxiret në merkato, për të mos u humbur falas vitin që vjen.

Chelsea tashmë po monitoron situatën e francezit. Blutë e Londrës kanë dy mbrojtësit kryesorë në moshë, 32-vjeç Cesar Azpilicueta dhe 36-vjeç Thiago Silva, me këtë të fundit që nuk i dihet nëse do të jetë përsëri pjesë e Chelsea-t edhe për sezonin e ardhshëm.

Ndërsa, Kurt Zouma e ka pasur të vështirë të ruajë një form të njëjtë, duke shfaqur shpeshherë paqëndrueshmëri.

Në krahun tjetër, Manchester United-i po kërkon partnerin e Harry Maguire-it në qendër të mbrojtjes. Ole Gunnar Solskjaer-i është i pakënaqur nga paraqitjet e Victor Lindelof-it dhe Eric Bailly-t.

Djajt e Kuq kërkuan nënshkrimin e Varane-s tre vite më parë, por Real-i kërkoi mbi 100 milionë euro, çka solli edhe tërheqjen e tyre. Por, mos rinovimi ka sjellë ulje të vlerës së tij tanimë. Për 60 milionë euro, madrilenët janë të gatshëm të lejojnë largimin e francezit.

Varane ka luajtur 36 ndeshje këtë sezon, ndërsa ka humbur dy ndeshjet e fundit çerekfinale përballë Liverpool-it në Ligën e Kampionëve, për shkak të infektimit me koronavirus.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore