Chelsea nderohet nga një Palmer fenomenal, Arsenal-i i shpëton turpërimit në fund

Rezultate interesante në Premier League
SHFLETO
Romario Ismailaj
28.09.2024 18:02
Loading Icons...

Premier League angleze ka dhuruar spektakel në ndeshjet e kësaj të shtunë pasdite. Chelsea fitoi me përmbysje ndaj Brighton, 4-2, falë paraqitjes fenomenale të Cole Palmer-it. Në krahun tjetër, Arsenal-i mori tri pikët falë fitores 4-2, me dy gola që erdhën në minutat e fundit ndaj Leicester-it.

Kanë përfunduar pesë takimet e radhës për javën e gjashtë në Premier League, ku nuk munguan surprizat. Chelsea, Arsenal, Everton dhe Fulham kanë arritur fitore, ndërsa West Ham nuk ka shkuar më shumë se një barazim ndaj Brentford-it.

Në “Stamford Bridge”, Chelsea e gjeti veten në disavantazh që në mintutën e shtatë, pasi miqtë realizuan me Georginio Rutter.

Por, ai gol vetëm sa ndezi motorët e vendasve, ku ndër ta u dallua Cole Palmer, ai që tifozët e thërrasin shpesh “Coold” (i ftohtë) për paraqitjet e jashtëzakonshme që dhuron për blutë.

Palmer realizoi golin e barazimit në minutën e 21-të, teksa shtatë minuta më vonë shënoi një të dytë me penallti. Goli i tretë i anglezit do të vinte në minutën e 31-të.

Miqtë ngushtuan diferencat në minutën e 34-të me Carlos Beleba-n. Megjithatë, Palmer-i kishte rezervuar një gol të katërt në minutën e 41-të.

Me fitoren e arritur, Chelsea ngjitet në vendin e tretë në Premier League, me 13 pikë, me një pikë më pak se Manchester City dhe Arsenal-i kryesues. Brighton qëndron në vendin e tetë me 9 pikë.

Në “Emirates”, Arsenal-i po fitonte 2-0 në pjesën e parë para se dueli të barazohej. Por, në fund, “Topçinjtë” do të ishin fitues, 4-2.

Gabriel Martinelli shënoi golin e parë në minutën e 20-të. Ndërsa, Leandro Trossard shtoi një të dytë në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

James Justin shënoi dy gola për miqtë, në minutën e 47-të dhe 63-të, për të sjellë barazimin e përkohshëm.

Megjithatë, vendasit shtuan një gol të tretë nga Trossard në minutën e katërt shtesë të pjesës së dytë, ndërsa ndeshja u vulos në minutën nëntë shtesë me golin e Kai Haverz-it.

Me fitoren e arritur, Arsenal-i ndan vendin e parë në Premier League me Manchester City-n me nga 14 pikë. Leicester mban vendin e 16-të me 3 pikë.

Në takimet e tjera, Everton fitoi 2-1 përballë Crystal Palace, duke marrë fitoren e parë për këtë sezon në Premier League. Brentford barazoi 1-1 me West Ham-in. Fulham fitoi minimalisht 1-0 në fushën e Nottingham Forest-it.

Java e gjashtë në Premier League filloi këtë të shtunë me takimin Newcastle – Manchester City, i përfunduar në barazim 1-1. E shtuna mbyllet me duelin Wolves – Liverpool, i cili fillon nga ora 18:30.

Të dielën do të luhen takimet: Ipswich – Aston Villa dhe Manchester United – Tottenhem. Java e gjashtë në Premier League mbyllet të hënën me duelin Bournemouth – Southampton.