Kampionate

Champions League vjen me ndeshjet e treta të raundit të parë


UEFA Champions League 2024-25 do të vijojë këtë të enjte me ndeshjet e treta të raundit të parë. Një format i ri ka sjellë edhe ndryshime në ditët e ndeshjeve, ku përveç ditëve klasike të martë dhe të mërkurë, tashmë edhe e enjtja ka përballje në kompeiticonin më të lakmuar për klube në kontinentin e vjetër.

Pas dy diteve të para të ndeshjeve të raundit të parë ku u zhvilluan 12 duele dhe ku klubet e mëdha nuk patën surpriza, tani është radha për gjashtë ndeshjet e fundit të raundit të parë.

Siç ndodhi edhe në dy ditet e tjera, dy takimet e para të ditës do të fillojnë nga ora 18:45, ndërsa katër të mbeturat nga ora 21:00.

Kështu, duelet e para janë Crvena Zvezda – Benfica dhe Feyenoord – Leverkusen. Ndeshjet e mbremjes jane Monaco – Barcelona, Atalanta – Arsenal, Atletico Madrid – Leipzig dhe Brest – Sturm.

Serbët e Crvena-s janë përballur dy herë më parë me Benfica-n në Evropë, me dy skuadrat që numërojnë nga një fitore.

Për Feyenoord dhe Leverkuen, kjo do të jetë përballja e parë mes tyre në Kupat e Evropës.

Skuadra franceze e Brest-it do të debutojë këtë mbrëmje në Champions League dhe përballë do të ketë një skuadër si Sturm Graz-i i Austrisë. Me këta të fundit që janë bërë të rregullt tashmë në garat evropiane.

Barcelona, një nga pretendentët e Champions League do të udhetojë drejt Monaco-s, aty ku do të ndeshet me një skuadër të cilën e ka mundur dy nga dy përballjet e mëparshme.

Katalanasit duket se janë rikthyer në rrugën e duhur nën drejtimin e Hansi Flick. Ata janë të pamposhtur këtë sezon, duke fituar pesë nga pesë duelet në La Liga, ku mbajnë kryesimin me 15 pikë, katër më shumë se Real Madrid-i i vendit të dytë.

Pas disa viteve jo të lavdishme në Evropë, Barcelona tani ka shansin të rikthehet sërish te shkëlqimi. Testi i parë është Monaco dhe mbetet për t’u parë nëse vërtet katalanasit kanë ndryshuar fytyrë nën Flick.

Kampionia në fuqi e Europa League-s, Atalanta, do të përballet me nënkampionët e Premier League Arsenal-in. Dy skuadrat nuk kanë asnjë duel të mëparshëm mes tyre.

Atalanta në sezonet e fundit është bërë një skuadër e rregullt në kompeticionet e UEFA-s, ndërsa Arsenal-i, pas disa vitesh në hije, ka gjetur formën nën drejtimin e Mikel Arteta-s dhe tani po pretendon të lërë gjurmë edhe në Evropë.

Atletico Madrid-i do të presë Leipzig-un në “Metropolitano”. Kjo do të jetë përballja e dytë në Evropë mes dy skuadrave, me gjermanët që kanë triumfuar 2-1 në takimin e vetëm të mëparshëm mes tyre.

Pas mbarimit të ndeshjeve të sotme, Champions League do të rikthehet me 18 duelet e javës së dytë më 1-2 tetor, të shpërndara përkatësisht në nëntë ndeshje të martën dhe nëntë të mërkurën.

Po atë javë do të luhen të enjten ndeshjet e raundit të dytë në Europa League, si dhe ato të raundit të parë në Conference League. Me dy kompeticionet që luajnë të enjten, më 3 tetor.

Pas javës së parë të tetorit, do të ketë një pauz pasi do të rifillojnë takimet e UEFA Nations League.

Kujtojmë se Shqipëria do të përballet me Çekinë në transfertë më 11 tetor dhe do të udhëtojë në Gjeorgji më 14 tetor. Kosova do të përballet me Lituanin më 12 tetor, në transfertë, ndërsa më 15 tetor do të presë Qipron në Prishtinë.

Pas mbarimit të pauzës së kombëtareve, Champions League do të rikthehet me ndeshjet e raundit të tretë më 22-23 tetor.

Raundi i katër vijon më 5-6 nëntor, ai i pestë më 26-27 nëntor, i gjashti me 10-11 dhjetor, i shtati më 21-22 janar 2025 dhe raundi i fundit, ai i tetë, zhvillohet më 29 janar ku të gjitha takimet do të luhen duke filluar nga ora 21:00 për të shmangur kompromiset e mundshme.

Rezultatet e ndeshjeve të luajtura në raundin e parë të Champions League:

Juventus 3-1 PSV

Young Boys 0-3 Aston Villa

Bayern 9-2 Dinamo Zagreb

Milan 1-3 Liverpool

Real Madrid 3-1 Stuttgart

Sporting 2-0 Lille

Bologna 0-0 Shakhtar

Sparta Praga 3-0 Salzburg

Celtic 5-1 Slovan

Brugge 0-3 Dortmund

Manchester City 0-0 Inter

PSG 1-0 Girona

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore