Sport

Champions League/ Kush janë lojtarët dhe skuadrat më të mira të fazës së grupeve


Teksa përfundoi faza e grupeve në UEFA Champions League, janë publikuar dhe statistikat më të mira të lojtarëve apo skuadrave që morën pjesë në këtë raund.

Vlen për t’u theksuar se u luajtën 95 ndeshje (125 janë në total bashkë me finalen).

Gjithsej u shënuan 292 gola, duke pasur një mesatare me rreth 3.08 gola për ndeshje ose një gol për çdo 30 minuta. Më shumë gola, 41, janë shënuar në intervalin kohor midis minutës 76-90.

Bayern Munich-u është skuadra që ka shënuar më shumë gola, 22. Ndiqet nga Ajax-i me 20 dhe Manchester City me 18.

Chelsea ka zotërimin më të lartë të topit, 62.5%. Më pas, vijnë Liverpool-i me 59.5% dhe Ajax-i me 58.7%.

Surprizues është fakti që skuadra me saktësinë më të madhe të pasimeve është Shakhtar-i me 90.5%. ndiqet nga City me 90.2% dhe Real Madrid-i me 90%.

Inter-i është skuadra që ka pasur më shumë tentativa drejt portave kundërshtare, 117.

Në vend të dytë është Real Madrid-i me 110 dhe City në të tretin me 108. Sheriff-i është skuadra që ka më shumë ndërhyrje, 101. Ndiqet nga Besiktas-i me 96 dhe Benfica me 90.

Skuadrat, që kanë rikuperuar më shumë topa, janë Lille dhe Borussia Dortmund-i, 282. Në vend të tretë renditet Salzburg-u me 278.

Portën e paprekur më së shumti e kanë mbajtur pesë skuadra, nga katër herë: Chelsea, Juventus-i, Bayern-i, Benfica dhe Real Madrid-i.

Sebastien Haller-i i Ajax-it është golashënuesi më i mirë, me 10 gola. Në vend të dytë është Robert Lewandowski i Bayern-it me nëntë gola.

Në të tretin Mohamed Salah-u i Liverpool-it dhe Christopher Nkunku i Leipzig-ut me nga shtatë gola.

Bruno Fernandes i Manchester United është asistuesi më i mirë me gjashtë asiste. Ndiqet nga Antony i Ajax-it me pesë asiste, si dhe Kylian Mbappe i PSG-së dhe Leroy Sane i Bayern-it me nga katër asiste.

Sebastien Thill-i i Sheriff-it është lojtari që ka përshkuar më shumë kilometra, 75.4 km. Pas tij renditen Hans Vanaken-i i Club Brugge-t me 68.7 km dhe Ryan Gravenberch-i i Ajax-it me 68.5 km.

Riyad Mahrez-i i Manchester City-t dhe Haller-i janë lojtarët që kanë më shumë goditje në kuadrat, 14. Salah-u dhe Lewandowski renditen të tretët me nga 13.

Daniele Rugani i Juventus-it ka saktësinë më të madhe të pasimeve, 98.3%. Ndiqet nga Aleksandr Erokhin-i i Zenit-it me 98% dhe Eric Garcia i Barcelona-s me 97.5%.

Edmund Addo i Sheriff-it ka kryer më shumë ndërhyrje, 26.

Më pas vijnë Joao Palhinha i Sporting-ut me 25 dhe Marco Verratti i PSG-se me 24.

Për topa të rikuperuar, në krye të listës qëndron Fernando i Sevilla-s, me 51 topa. Ndiqet nga Reinildo i Lille-s me 49 dhe Jules Kounde, po i Sevilla-s me 48.

Giorgos Athanasiadis-i portieri i Sheriff-it ka bërë më shumë pritje, 38.

Më pas vijnë, Simon Mingolet-i i Club Brugge-t me 28, Odisseas Vlachodimos-i i Benfica-s dhe Thibaut Courtois-i i Real Madrid-it me 22 pritje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore