Sport

Champions League: Inter triumfon ndaj Barcelona-s, Napoli shemb Ajax-in


UEFA Champions League ka përfunduar gjashtë takimet e mbrëmjes së kësaj të marte. Super sfida mes Inter-it dhe Barcelona-s përfundoi me fitoren e zikaltërve.
Triumf pati dhe për skuadrën tjetër italiane, Napoli-n, për blegët e Club Brugge dhe portugezët e Porto-s
Në takimin e zhvilluar në “Giuseppe Meazza”, mes Inter-it dhe Barcelona-s, vendasve iu mjaftoi një gol i Hakan Calhanoglu në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë për të marrë tri pikët.
Katalanasit dominuan lojën, sidomos në pjesën e dytë, pasi që ishin dhe në humbje. Por në fund buzëqeshën italianët.
Në këtë sfidë VAR ndërhyri dy herë, me nga një rast për secilën skuadër. Në minutën e 24, Inter-it iu anulua një penallti. Ndërsa, në minutën e 68 u anulua një gol për Barcelona-n.
Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Inter-in, që e shikon veten në vendin e dytë në Grupin C me gjashtë pikë. Bayern Munich kryeson me nëntë pikë. Barcelona ka tre pikë. Vendi i fundit mbahet nga Viktoria Plzen, e cila është pa pikë.
Bayern mundi më herët Viktoria Plzen-in në “Allianz Arena” me rezultatin 5-0.
Në takimin e Grupi A, mes Napoli-t dhe Ajax-it, skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti ka fituar në transfertë me rezultatin e thellë 6-1.
Mohammed Kudus shënonte golin e parë të takimit. Ndërsa, skuadra italiane do të përmbyste rezultatin falë golave të Giacomo Raspadori (dy), Giovanni di Lorenzo, Piotr Zielinski, Khvicha Kvaratskhelia dhe Giovanni Simeone.
Në sfidën tjetër të këtij grupi, Liverpool ka fituar 2-0 përballë Rangers. Golat për skuadrën angleze u shënuan nga Trent Alexander-Arnold dhe Mohamed Salah.
Grupi A kryesohet nga Napoli me nëntë pikë. Liverpool ka gjashtë pikë. Ajax tre pikë. Teksa vendi i fundit mbahet nga Rangers me zero pikë.
Në Grupin B, Club Brugge arriti surprizën duke mposhtur 2-0 Atletico Madrid-in. Kamal Sowah dhe Ferran Jutgla shënuan për skuadrën belge.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Porto triumfoi po në shifrat 2-0 përballë Bayer Leverkusen. Për skuadrën portugeze realizuan Zaidu Sanusi dhe Wenderson Galeno.
Brugge mban kryesimin e Grupit B me nëntë pikë të plota. Në vendin e dytë vjen Leverkusen me tre pikë. Por po tre pikë kanë edhe Porto me Atletico-n.
Grupi D pati një ndeshje këtë mbrëmje, ajo mes Eintracht Frankfurt dhe Tottenham. Takimi u mbyll me rrjeta të paprekura.
Ndërkohë, më herët në këtë grup u luajt takimi mes Marseille-s dhe Sporting Lisbonës, i përfunduar në shifrat 4-1 për francezët.
Grupi kryesohet nga Sporting me gjashtë pikë. Tottenham dhe Eintracht kanë nga katër pikë. Ndërsa, Marseillie ka tre pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore