Çfarë sanksionesh i janë vënë Rusisë?

SHFLETO
Orges Permargjeta
23.02.2022 20:00
Loading Icons...

Vetëm në pak ditë, shumë shtete kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë, pas dërgimit të trupave në rajonet separatiste të Ukrainës Lindore.

Ekzistojnë gjithashtu kërcënime për të vazhduar më tej me sanksionet, nëse Moska do të nisë një pushtim të plotë të fqinjit të saj.

Shtetet e Bashkuara (SHBA), Bashkimi Evropian (BE), Britania, Australia, Kanadaja dhe Japonia njoftuan planet për të sulmuar bankat dhe individët e pasur, ndërsa Gjermania ndaloi një projekt të madh të gazit nga Rusia, në një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë në dekada.

Masat, të shoqëruara me ripozicionimin e trupave shtesë amerikane në vendet baltike, erdhën pasi forcat ruse u futën në zonat separatiste të kontrolluara nga rebelët në Ukrainën Lindore.

Shtetet e Bashkuara

Në atë që ai e quajti “pjesën e parë” të sanksioneve, Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, nënshkroi një urdhër ekzekutiv, i cili përcaktonte se çdo institucion në sektorin e shërbimeve financiare të Rusisë është një objektiv për sanksione të mëtejshme.

Biden paralajmëroi sanksione ndaj dy institucioneve të mëdha financiare ruse, VEB dhe bankës së tyre ushtarake.

Gjithashtu, Presidenti amerikan tha se sanksione do të ketë edhe mbi borxhin sovran të Rusisë.

“Ne e kemi ndërprerë qeverinë e Rusisë nga financimi perëndimor. Ajo nuk mund të mbledhë më para nga Perëndimi dhe nuk mund të tregtojë borxhin e saj të ri, as në tregjet tona, as në ato evropiane”.

Duke filluar nga e mërkura, sanksionet përfshijnë edhe “elitat” e vendit dhe anëtarët e familjeve të tyre, si dhe liderët civilë në hierarkinë udhëheqëse të Rusisë.

Mbretëria e Bashkuar

Të martën, Mbretëria e Bashkuar njoftoi sanksione kundër pesë bankave ruse dhe tre miliarderëve rusë, Gennady Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg.

Rotenbergët janë bashkëpronarë të kompanisë “SGM Group”, e cila kryen infrastrukturën e naftës dhe të gazit. Timchenko është pronar i firmës private të investimeve “Volga Group”.

Bankat e sanksionuara janë Rossiya Bank, IS Bank, General Bank, Promsvyazbank dhe Banka e Detit të Zi.

Britania do të ndalojë gjithashtu Rusinë që të shesë borxhin sovran në Londër, tha sekretarja e Jashtme angleze, Liz Truss.

“Ne jemi të përgatitur të shkojmë shumë më tej nëse Rusia nuk tërhiqet”, tha ajo.

“Do të kufizojmë aftësinë e shtetit rus dhe kompanive ruse për të mbledhur fonde në tregjet tona, do të ndalojmë një sërë eksportesh të teknologjisë së lartë dhe do të izolojmë më tej bankat ruse nga ekonomia globale”.

Gjermania

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, njoftoi ndalimin e procesit të certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia – një marrëveshje fitimprurëse e kërkuar prej kohësh nga Moska, por e kritikuar nga SHBA-ja për rritjen e varësisë së Evropës nga energjia ruse.

Projekti prej 11.6 miliardë dollarësh është në pronësi të gjigantit shtetëror rus të gazit, Gazprom.

Ukraina

Parlamenti i Ukrainës ka miratuar vendosjen e sanksioneve ndaj 351 rusëve, duke përfshirë ligjvënësit që mbështetën njohjen e pavarësisë së territoreve të kontrolluara nga separatistët dhe përdorimin e trupave ruse në Ukrainën Lindore.

Sanksionet kufizojnë pothuajse të gjitha llojet e mundshme të aktiviteteve, në veçanti ndalimin e hyrjes në Ukrainë, ndalojnë aksesin në asete, kapital, pronë dhe licenca për biznes.

Bashkimi Evropian

Blloku prej 27 anëtarësh njoftoi njëzëri sanksionet fillestare, që synonin 351 politikanë rusë, të cilët votuan për njohjen e dy rajoneve separatiste në Ukrainë, si dhe 27 zyrtarë dhe institucione të tjera ruse nga sektori i mbrojtjes dhe ai bankar.

Ata gjithashtu kërkuan të kufizojnë aksesin e Moskës në kapitalin dhe tregjet financiare të BE-së.

Japonia dhe Australia

Të dy vendet njoftuan vendosjen e gjobave të rrepta ndaj individëve të lidhur me agresionin kundër Ukrainës.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, vuri në shënjestër anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë për “sjellje si banditë”.

Sanksionet e Japonisë përfshijnë ndalimin e emetimit të bonove ruse në Japoni dhe ngrirjen e aseteve të disa individëve rusë, si dhe kufizimin e udhëtimit në Japoni, tha kryeministri, Fumio Kishida.