Shqipëria

Çfarë përfshin paketa e re për sigurinë në gjimnazet e Shqipërisë


Ministria e Brendshme e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kanë publikuar të premten e 1 shtatorit një plan të ri masash për sigurinë në gjimnazet e vendit.

Detajet e kësaj pakete për sigurinë në perimetrin e shkollave të sistemit para-universitar e ka zbuluar pikërisht ministri Taulant Balla.

Fillimisht ai tregoi se pika e parë e masave do të përfshijë dhe do të prekë sigurinë publike.

Autoritetet do të normojnë përkufizimin e konceptit të perimetrit të sigurisë në shkolla si ato “hapësira fizike përreth shkollave ku fëmijët qëndrojnë, ndërveprojnë dhe kalojnë pjesë të kohës së tyre para, përgjatë ose pas mësimit e që përfshijnë të gjitha rrugët dhe rrugicat përreth kufijve të shkollës si dhe të gjitha aktivitetet tregtare, dyqane, kioska, njësi biznesi që ushtrohen brenda kësaj hapësire”.

Struktura Vendore të Policisë në bashkëpunim me të gjitha bashkitë e vendit do të identifikojnë dhe përcaktojnë brenda kësaj jave perimetrin e sigurisë të secilës shkollë, sipas vlerësimit të situatës në terren por jo më pak se 50 metra në vijë ajrore rreth gardhit kufizues të secilës shkollë, vërejti Balla.

Zyrtari shqiptar garantoi se autoritetet do të ndërmarrin një qasje të re penale, në raport me veprat që vënë në rrezik apo cenojnë sigurinë e fëmijëve brenda këtij perimetri sigurie.

“Brenda këtij muaji do të propozoj një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për të gjitha veprat penale, të cilat kryhen brenda perimetrit të sigurisë të shkollave duke filluar në radhë të parë nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike e më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi apo pornografie”, theksoi më tej ministri.

Sipas tij, objektivi kryesor mbetet parandalimi i kriminalitetit dhe i përdorimit të substancave narkotike në radhët e të rinjve.

Në ditët në vijim, unë pres nga Policia që në bashkëpunim me Prokurorinë të ketë rezultate domethënëse në luftën ndaj “spaçatorëve”, ravijëzoi Taulant Balla në fjalën e tij përmbyllëse.

“Ministritë tona (të Arsimit dhe Sportit – dhe Ministria e Brendshme) kanë një rol të drejtpërdrejt dhe një përgjegjësi të madhe në garantimin e një mbarëvajtjeje të vitit të ri shkollor. Duhet të jenë të sigurt prindërit që fëmijët e tyre nuk do të përfshihen kurrsesi në akte dhune, bullizmi, në konflikte, aksidente rrugore, episode shfrytëzimi apo abuzimi nga elementë kriminalë ku shqetësimi im sot dhe i mbarë publikut është rritja e numrit të përdoruesve të lëndëve narkotike te gjimnazistët”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore