Shqipëria

Çfarë përfshijnë gjetjet e misionit të FMN-së për Shqipërinë?


Ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga performuesit më të fortë në rajon.

Kjo, falë një rikthimi të fortë në turizëm, ku rritja vitin e kaluar i tejkaloi pritshmëritë me afro 5 për qind.

Kështu vërejnë gjetjet paraprake të stafit të FMN-së në fund të vizitës zyrtare në Shqipëri.

Një kombinim i konsolidimit fiskal, të ardhurave më të larta dhe mbiçmimit të lekut e riktheu raportin e borxhit publik në nivelet para pandemisë, shton raporti.

Sipas misionit të FMN-së, politika monetare është e fokusuar me të drejtë në uljen e inflacionit, i cili ka ardhur në rënie gradualisht pasi ka arritur kulmin me një normë më të ulët se në vendet e tjera të rajonit.

Për ekspertët e FMN-së, perspektivat ekonomike të Shqipërisë pritet të mbeten të qëndrueshme.

PBB-ja reale parashikohet të zgjerohet me 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në vitin 2024.

Kjo, e udhëhequr nga konsumi privat elastik, me forcë të dukshme në aktivitetin e turizmit dhe të ndërtimit.

Agjencia kryesore financiare e Kombeve të Bashkuara parashikon se inflacioni lëviz rreth 4 për qind mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe pritet të rikthehet vetëm gradualisht në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind deri në fillim të vitit 2025.

Autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në vitet pas pandemisë, me përmirësime të dukshme në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Një përpjekje fiskale më e fortë se sa është parashikuar aktualisht duke filluar nga viti 2024 mbetet kritike pasi Shqipëria vazhdon të përballet me nevojat e larta të financimit bruto, mendon misioni i FMN-së.

Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme është e nevojshme për një konsolidim të besueshëm fiskal, sipas raportit.

Agjencia financiare sqaron se autoritetet shqiptare kanë ligjësuar disa nga reformat e politikës tatimore në përputhje me asistencën teknike të mëparshme të FMN-së.

Miratimi në kohë i masave që janë ende në përgatitje – përfshirë reformat e taksave mbi pronën dhe lojërat e fatit – është kritike.

Sipas misionit të FMN-së, mund të merren gjithashtu në konsideratë masat e paracaktuara për futjen e mëvonshme, të tilla si heqja e përjashtimeve të mëtejshme të TVSH-së dhe norma zero e tatimit për bizneset e vogla.

Presionet afatmesme dhe afatgjata të shpenzimeve kërkojnë përmirësime të efikasitetit. Rritjet e fundit të pagave publike dhe indeksimi ndaj inflacionit do të çojnë në një faturë më të lartë pagash për qeverinë, raporton FMN-ja.

Ata theksojnë ndër të tjera se integrimi i partneriteteve publike-private (PPP) në kuadrin e rregullt të investimeve publike dhe në procesin buxhetor është urgjentisht i nevojshëm dhe do të kërkojë ndryshime ligjore.

Kthimi i inflacionit në objektiv ka të ngjarë të kërkojë disa rritje të mëtejshme në normën bazë.

Pas një rritjeje prej 250 pikësh bazë në 3 për qind, Banka e Shqipërisë (BSH) ndaloi në mënyrë të përshtatshme rritjen e normës së saj në muajin mars, në kushtet e rënies së inflacionit dhe mbiçmimit të fortë të lekut, sqaron FMN-ja përmes misionit të saj.

Për ekspertët financiarë, me presionet e brendshme të inflacionit në rritje mes tregjeve të shtrënguara të punës dhe normave reale ende negative, ka vend për rritje të mëtejshme.

Misioni theksoi po ashtu se informaliteti, mangësitë në qeverisje dhe sundim të ligjit, dobësitë në tregun e punës, boshllëqet në infrastrukturë dhe presionet demografike kanë penguar shpërndarjen efikase të burimeve dhe kanë frenuar produktivitetin.

Në përmbyllje, agjencia financiare ravijëzoi se falë progresit të konsiderueshëm në adresimin e mangësive të LPP/LFT, Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) njoftoi së fundmi se Shqipëria do të dilte nga lista e juridiksioneve të saj nën monitorim të shtuar.

Shqipëria jashtë listës gri të pastrimit të parave, konfirmon Mete

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore