Çfarë pa Putini në Mariupol?

SHFLETO
Vitjon Nina
19.03.2023 22:00
Loading Icons...

E mori vetë timonin në dorë gjatë vizitës së parë në Mariupol, pas agresionit rus në Ukrainë.

Qyteti mbetet një prej më të shkatërruarve dhe më të bombarduarve, por kjo gjë nuk e ndaloi presidentin rus, Vladimir Putin, së fundmi edhe me një urdhër-arrest mbi të, që ta vizitonte qendrën e madhe jugore në territorin ukrainas.

Takoi disa banorë me të cilët bisedoi. Pa disa godina, të cilat herë gjysmë të shkatërruara e herë të hedhura përtokë nga bombardimet, premtoi se do t’i rindërtonte sa më parë.

Por, ata të cilët vërtetë kanë rëndësi, të vdekurit, një kriminel lufte si Putin nuk i kthen dot pas!

E gjitha erdhi një ditë pas shfaqjen së tij të beftë në gadishullin e Krimesë. Kjo, pavarësisht se takimi i shumëpritur mes tij dhe homologut kinez, Xi Jinping, është prapa dere.

Mirëpo, Mariupoli, është një “pikë e dobët” për Putinin, është më shumë se sa një qytet, është diçka personale.

Bombardimet që i ka lëshuar mbi atë qytet nuk krahasohen me asgjë tjetër. Asnjë qendër e banuar ukrainase, nuk është shkatërruar aq sa Mariupoli.

Ai shkoi aty, për të dëshmuar me sytë e tij se çfarë ka bërë!

Madje, nuk e ka për hise as të marrë vetë timonin në dorë dhe t’i japë makinës rrugëve të Mariupolit, për të shkuar në Pallatin e Filarmonisë dhe Konvertese.

Me vete ka edhe zëvendëskryeministrin rus, Marat Khusnullin.

Një foto ia kanë shkrepur pikërisht në këtë çast, duke drejtuar mjetin dhe duke kaluar në një shesh, i cili njihej si “Sheshi i Lirisë” në Mariupol.

Sot, i tillë nuk është, por sërish kjo nuk e pengon Putinin të vozisë lirisht e të takojë njerëz të sikletosur me praninë e tij aty.

Një tavolinë e drunjtë e vendosur krejt pa kontekst në një park fëmijës, e pret për të parë “planin” e ti për ringritjen e Mariupolit, me godina rezidenciale të stilit rus dhe një lagje krejtësisht të re, të ngritur nga themelet.

Qyteti ama i ka 90% të ndërtesave të dëmtuara dhe ato, nuk mundet kurrsesi të ringrihen me vendosjen e gishtit në hartë nga Putini.

Emrat e rrugëve, ndoshta edhe mund t’i ndryshojë, por faktin se çfarë aty ka ndodhur jo.

Putin, shkatërruesi i Mariupolit, kërkon të mbledhë hirin e asaj çfarë dogji…ndoshta!