Aplikacione

Çfarë ndodh nëse nuk pranon kushtet e reja të Whatsapp-it?


Në një azhurnim në faqen e tij zyrtare, Facebook-u, ka njoftuar se do të nisë të çaktivizojë veçoritë e aplikacionit të bisedave në pronësi të tij, Whatsapp-it, nëse deri më datë 15 të muajit maj përdoruesit nuk kanë rënë dakord me kushtet e reja të diskutueshme të shërbimit.

Agjencia e lajmeve, The Guardian, shkruan se me çaktivizimin, ekrani që u kërkon përdoruesve të pranojnë kushtet e reja të shërbimit do të bëhet i përhershëm. Kjo detyron përdoruesit të klikojnë që të përdorin aplikacionin.

Për “disa javë” përdoruesit do të jenë në gjendje të ndërveprojnë në aplikacion me mënyra të tjera të tilla si marrja e telefonatave, përgjigjja ndaj mesazheve apo ndaj thirrjeve të humbura.

“Pas disa javësh funksionalitet të kufizuar, nuk do të jenë në gjendje të marrin thirrje hyrëse ose njoftime dhe Whatsapp-i do të ndalojë dërgimin e mesazheve dhe thirrjeve”, deklaron kompania.

Taktika e zgjedhur nga Facebook-u do të vendosë përdoruesit mes dy zgjedhjesh. Ose të pranojnë kushtet e reja ose të ndalen së përdoruari Whatsapp-in.

Megjithatë, taktika e radhës konsiderohet si më e butë krahasuar me metodat që ka ndjekur Facebook-u historikisht. Kompania më parë ka vendosur një ekran pëlqimi të padiskutueshëm që në ditën e parë të shfaqjes së tij.

Por, kësaj here strategjia ndryshoi për shkak të reagimit të përdoruesve të Whatsapp-it në muajin janar kur kompania u përpoq për herë të parë të përditësonte kushtet e reja të shërbimit.

Reagim që u shoqërua edhe me një lëvizje të përdoruesve drejt aplikacioneve alternative të  komunikimit si Signal-i dhe Telegram-i.

Kjo bëri që Whatsapp-i ta vonojë azhurnimin dhe paralelisht me këtët të nisë një fushatë për të shpjeguar se kushtet e reja nuk kishin të bënin me mungesën e privatësisë së përdoruesve, por me një seri të re të karakteristikave që i lejon atyre të dërgojnë drejt bizneseve mesazhe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore