Çfarë mendojnë ekspertët për futjen e edukatës seksuale si lëndë në shkolla?

SHFLETO
Altina Marmullaku, albanianpost
18.05.2021 18:57
Loading Icons...

Pas rastit të fundit të publikimit të një video-incizimi, ku një vajzë ngacmohet seksualisht  në oborrin e një shkolle fillore në Prishtinë, është ri-aktualizuar kërkesa që edukata seksuale të futet si lëndë në shkolla në Kosovë.

Edhe pse debati është i kamotshëm, kjo kërkesë ende nuk është konkretizuar nga institucionet e arsimit e as  nga qeveritë ndër vite.

Por, në Kosovë ekziston një aplikacion që ofron informacione për edukatën seksuale.

Janë tri studente të Fakultetit të Psikologjisë që tash e tri vite kanë krijuar aplikacionin “Shnet”.

Njëra nga themelueset e këtij aplikacioni Eurisa Rukovci, thotë për Albanian Post se ideja e këtij aplikacioni ka qenë ofrimi i informacioneve për fëmijët, për temat të cilat nuk flitet shumë në shkollë ose në familje.

“Me anë të aplikacionit, kemi menduar që fëmijët të kenë qasje më të lehtë edhe me informata të verifikuara paraprakisht”, thotë Rukovci.

Por, Rukovci thotë se një aplikacion sa do i suksesshëm që të jetë, nuk mund të jetë zëvendësim i arsimit.

“Ne kemi mungesë të arsimit sistematik sa i përket lëndës së edukimit medial për gjeneratat e reja. Megjithatë ne kur kemi prezantuar në shkolla, kur kemi diskutuar me nxënës e kemi pa që ju ka ndihmuar shumë dhe që ka pas tema për të cilat nuk kanë qenë të informuar më herët”, u shpreh Rukovci.

Ajo pohon se përmes këtij aplikacioni janë nxitur debate dhe është filluar që të diskutohet tema e edukimit seksual në shoqëri.

“Kur e kemi konceptuar aplikacionin “Shnet”, jemi konsultuar me profesionist të shëndetit mendor, mjekë, gjinekolog, profesorë universitar për me shiku se çka me vendos në përmbajtje dhe paraprakisht edhe përmbajtja është rishikuar prej zyrës së UNICEF-it në Kosovë të cilët edhe e kanë mbështetur edhe financiarisht dhe na kanë mbështetur neve”.

Aplikacioni “Shnet”, mund të instalohet në telefon dhe i njëjti përfshinë edhe kalendarin menstrual për vajza dhe gra.

Imri Zabeli, specialist i psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, i certifikuar në programin kundër bullizmit nga instituti ‘Dan Olëeus’, thotë se nxënësit duhet të kenë më shumë orë mësimore për edukatën seksuale dhe konsideron se kjo lëndë duhet të përfshihet në kuadër të lëndës “Edukata dhe Morali”.

“Mungesa e komunikimit efektiv në familje për seksualitetin dhe dallimet gjinore, si dhe dominimi në masë të madhe i stereotipave gjinore e bën të domosdoshme edukimin e drejt seksual të fëmijëve”, thotë Zabeli.

Ai shton se pasojat me të cilat përballemi, shkaku i mungesës së edukimit seksual janë kryesisht të dëmshme si në aspektin fizik, psikologjik dhe atë edukativo-moral, “ngase rriten mundësitë për abuzim të shprehura në formë të direket, si ajo e sulmeve seksuale përdhunimeve apo formave të bullizimit”.

Sa i përket aspektit nacional, ai thotë se Kosovës i mungon një strategji, program për parandalimin e dhunës dhe bullizmit në shkolla, dhe mjediset jashtë shkollave.

“Bullizmi, përmban në vete një sistem të organizuar të dhunës psiko-fizik, i cili për nga shtrirja e tejkalon mjedisin e shkollës. Prandaj, kërkohet sistem i integruar i parandalimit të bullizmit, ku do të ishin të përfshira shkolla, prindërit, komuniteti, institucionet lokale dhe qendrore”, u shpreh Zabeli.

Jeton Brajshori, ligjërues në kolegjin AAB tregon se sa i përket aspektit të edukimit seksual nxënësit kanë fare pak ose pothuajse fare njohuri.

“Në klasën e pestë te lënda ‘Njeriu dhe natyra’, nxënësit mund të mësojnë vetëm në mënyrë sipërfaqësore për organet prodhuese të njeriut dhe pubertetin, që përfshihet vetëm me tri faqe libri dhe me kaq mjafton, pra mungesa e informatave të detajuara për edukimin seksual bën që të krijohen probleme të tilla të cilat janë të dëmshme komplet për shoqërinë tonë e sidomos në zhvillimin e personalitetit të nxënësve”, deklaroi ai.

Brajshori kërkon që sa më parë të futet edukimi seksual në shkolla, në institucionet përkatëse, shton se përveç psikologëve duhet të angazhohen edhe sociolog edhe punëtor social në shkolla.

“Prindërit duhet të kenë kujdes se çfarë shikojnë fëmijët e tyre në internet, hulumtimet e fundit kanë treguar se ka mbi 1 milion klikime në ditë, në faqe që përmbajnë pornografi. Duhet të ketë mbledhje më të shpeshta dhe diskutime me prindër në shkolla, të organizohen kampanja senzibilizuese, për këtë dukuri negative”.

Ai deklaroi se pasojat e mungesës së edukimit seksual janë të shumta.

“Fatkeqësisht, e kemi parë rastin te shkolla “Faik Konica”, ky është vetëm një në shumë raste që kanë ndodhur dhe është bërë publik, kemi parë dhe shohim çdo ditë që nxënësit të cilët inspirohen nga rrjetet sociale, mund të kenë akses në gjithçka dhe ato i shfaqin në rrugë”.

Sipas Brajshorit, këto pasoja vinë deri tek ofendimi verbal, sulmi seksual, dhuna fizike, e fatkeqësisht ka raste kur kanë përfunduar me fatalitet.

Mirishahe Syla, aktiviste feministe thotë se nuk ka të dhëna të sakta që tregojnë se sa nxënësit kanë njohuri për edukimin seksual.

“Hulumtimet që merren me nivelin e njohurive të nxënësve në tema si kjo që nuk janë pjesë e kurrikulës së tyre obligative mungojnë”, thotë Syla.

Ajo thotë, se nxënësit nuk kanë njohuri për edukimin seksual, “nga përvoja personale dhe profesionale, sidoqoftë, mendoj se nxënësit nuk i kanë as njohuritë bazike mbi edukimin seksual”.

Kjo vjen kryesisht si pasojë e trajtimit të shëndetit seksual si temë tabu duke filluar nga familjet tona e pastaj duke u përcjellë edhe në institucionet e arsimit.

Shton, se “hulumtimet që ka zhvilluar me të rinjtë në të gjitha rajonet e Kosovës, nga diskutimet mbi shëndetin seksual ka dalur që shumica e tyre jo vetëm se nuk kanë bazat e njohurive mbi shëndetin seksual të tyre, por edhe nuk e konsiderojnë si të drejt të informohen mbi këtë çështje”.

Syla, konsideron që është jetike që fëmijët të jenë të informuar mbi shëndetin dhe edukatën seksuale qysh nga shkolla fillore.

“Me vetë faktin që është informata më bazike që ata duhet të kenë rreth trupave të tyre, dhe në përgjithësi rreth zhvillimit të tyre, që nga fëmijëria”.

Aktualisht, mësime në lidhje me edukatën seksuale, trupin dhe gjininë ka në tekstet aktuale shkollore, por janë të shpërndara në lëndë të ndryshme.