Shqipëria

Çfarë i urojnë Shqipërisë të rinjtë këtë 28 nëntor të 111?


Të rinjtë – forca dhe vazhdimësia e kombit tonë – kudo ku i gjeti ky 28 Nëntor i dhanë sërishmi zë krenarisë për rrënjët e tyre shqiptare.

Është nëntori i tyre. Është Dita e Shqiptarisë!

Të mbështjellë me flamurin kuqezi, të gjallëruar nën tingujt patriotikë, sot të rinjtë shqiptarë janë dëgjuar ndërkombtarisht.

Por kanë edhe diçka tjetër për t’i thënë vendit të tyre.

Në redaksinë e Albanian Post kanë mbërritur tanimë disa mesazhe nga të rinj, brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë diçka për t’i thënë vendit të tyre në këtë 111-vjetor.

Nga Mbretëria e Bashkuar, marketerja Kristina Shyti, ka shumëçka për t’i uruar atdheut të saj.

Por më së shumti i uron “dashuri për njëri-tjetrin”.

“Do kisha dashur ta mbronim dhe ta donim më shumë njëri-tjetrin, të luftonim më shumë për të drejtat tona dhe t’i gëzonim këto të drejta e të mos kishim nevojë që të iknim që t’i kërkonim në një vend të huaj”, thotë ajo.

“Përtej të gjithave, e dua shumë vendin tim, Shqipërinë time dhe jam shumë krenare që vij nga një vend i vogël, por me vlera të mëdha”.

Po nga Mbretëria e Bashkuar, Drilona D., juriste, kërkon nga bashkatdhetarët e saj që të qëndrojnë të pandarë.

“Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen ju uroj të qëndrojnë gjithmonë të bashkuar sepse bashkimi bën fuqinë”, ravijëzon ajo.

Një tjetër vajzë, mësuese Jonida Duraj, ka zgjedhur të rikthehet në atdhe pas një shkëputjeje jashtë vendit. Më konkretisht, në Zvicër.

Edhe theksi i saj është te dashuria për njëri-tjetrin.

“Si fillim ta duam sa më shumë njëri-tjetrin, nga kjo premisë merr jetë gjithçka tjetër që vjen pas. Po ashtu ta duam vendin tonë, ta duam Shqipërinë, se e shajmë një vit dhe e duam vetëm dy ditë”.

Sipas saj, Shqipëria ka nevojë për më shumë vëmendje, më shumë përspektivë, në mënyrë që të rinjtë mos ta lënë, por ta shohin të ardhmen e tyre këtu.

“Ka kaq shumë të mira këtu. Detin, malin, klimën fantastike. Nuk mungon asgjë. Ndaj me më shumë investime reale për vendin dhe mirëqënien, nuk do të ketë më arsye për t’u larguar”, dallon ajo.

Nëntori i shqiptarëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore