Lajme

Çfarë fshihet pas takimit Japoni-Kore e Veriut?


Kryeministri japonez Fumio Kishida ka kërkuar një takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Kështu ka deklaruar Kim Yo Jong, motra e Kim Jong Un, siç raporton agjencia koreano-veriore e lajmeve “KCNA”.

Por përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve, sipas Kim, do të varet nga aftësia e Tokios për të marrë vendime praktike politike.

“Kryeministri duhet ta dijë se vetëm për shkak se ai dëshiron dhe ka marrë një vendim, nuk do të thotë se ai mund ta bëjë atë ose se udhëheqja e vendit tonë do të takohet me të”, ka thënë Kim për “KCNA”.

Sipas raporteve nga Pheniani, kryeministri japonez ka propozuar që një takim me liderin e Koresë së Veriut Kim Jong Un të mbahet “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Por motra e Kim ka thënë në një deklaratë se nuk do të ketë përparim në marrëdhëniet midis Koresë së Veriut dhe Japonisë për sa kohë që qeveria e Kishida-s është e angazhuar në çështjen e rrëmbimeve të qytetarëve japonezë nga agjentët e Koresë së Veriut që nga fundi i vitit 1970 dhe derisa ai ndërhyri në atë që e quajti “ushtrimi i të drejtës sonë të sovranitetit”.

Me sa duket, duke iu referuar aktiviteteve të testimit të armëve të Koresë së Veriut.

“Historia e marrëdhënieve ndërmjet Republikës Popullore Demokratike të Koresë dhe Japonisë mëson se është e pamundur të përmirësohen marrëdhëniet dypalëshe, plot mosbesim dhe keqkuptim, vetëm me idenë e organizimit të një samiti”, ka thënë Kim Yo Jong.

“Nëse Japonia me të vërtetë dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe dhe të kontribuojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit rajonal si një fqinj i Republikës Popullore Demokratike të Koresë, është e nevojshme që të marrë një vendim politik për një opsion strategjik që përputhet me interesat e përgjithshme”.

Në shkurt, Kim Yo Jong bëri një deklaratë të ngjashme për lidhjet dypalëshe, duke thënë se Koreja e Veriut ishte e hapur për të përmirësuar marrëdhëniet me Japoninë dhe madje duke ftuar Kishida-n në Phenian.

Ama duke theksuar se kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Tokio ndalonte sfidimin e të drejtës legjitime të Koresë së Veriut për vetëmbrojtjen dhe çështjen e rrëmbimit.

Sakaq, disa ekspertë argumentojnë se Koreja e Veriut po përpiqet të përmirësojë lidhjet me Japoninë për të dobësuar partneritetin trepalësh të sigurisë Tokio-Seul-Washington.

Kurse Kishida dëshiron të përdorë përparimin e mundshëm në çështjen e rrëmbimit për të rritur vlerësimin e tij të miratimit në rënie në vend.

Arsenalet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut në avancim përbëjnë një kërcënim të madh për sigurinë e Japonisë, Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të tre vendet kanë zgjeruar stërvitjet e tyre trepalëshe në përgjigje të serisë së testeve provokuese të kryera nga Veriu që nga viti 2022.

Japonia dhe Koreja e Jugut janë dy nga aleatët kryesorë të SHBA-ve në rajon dhe së bashku presin rreth 80 mijë ushtarë amerikanë në territoret e tyre.

Ndërkohë Koreja e Veriut dhe Japonia nuk kanë lidhje diplomatike dhe marrëdhëniet e tyre janë lënë në hije nga programi bërthamor i Koresë së Veriut, çështja e rrëmbimeve dhe kolonizimi i Japonisë i Gadishullit Korean nga vitet 1910-1945.

Keqbërjet koloniale të Japonisë janë burim i grindjeve historike midis Tokios dhe Seulit.

Pas vitesh mohimi të përgjegjësisë, Koreja e Veriut pranoi në një samit të paprecedentë të vitit 2002 midis Kim Jong Il, babait të ndjerë të Kim Jong Un, dhe kryeministrit të atëhershëm japonez Junichiro Koizumi se agjentët e saj kishin rrëmbyer 13 japonezë, kryesisht për të trajnuar spiunët në gjuhën dhe kulturën japoneze.

Atë vit ai lejoi 5 prej tyre të ktheheshin në Japoni, por tha se të tjerët kishin vdekur.

Japonia beson se të paktën disa prej tyre janë ende gjallë dhe se qindra të tjerë mund të jenë rrëmbyer.

Në vitin 2004, Koizumi bëri një vizitë të dytë në Korenë e Veriut dhe u takua përsëri me Kim Jong Il.

Ky ishte samiti i fundit midis liderëve të dy vendeve.

Ekziston frika se Koreja e Veriut mund të rrisë më tej presionin ndaj rivalëve të saj dhe të rrisë aktivitetet e testimit të armëve në këtë vit zgjedhor si në SHBA ashtu edhe në Korenë e Jugut.

Kim Jong Un ka mbikëqyrur një sërë testesh raketash këtë vit dhe stërvitje të tjera ushtarake.

Marrë nga “La Stampa”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore