Aplikacione

Çfarë do të thotë për krijuesit ndalimi i TikTok-ut?


A do të ndalohet TikTok-u?

Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që po bëhet nga shumë njerëz kohët e fundit.

Dhe përgjigja, tani për tani, duket se është jo. Nuk ka gjasa që aplikacioni masivisht i popullarizuar të zhduket së shpejti.

Por qeveria amerikane ka folur për nxjerrjen e tij jashtë ligjit dhe politikanët në Amerikë e kanë vënë me shpatulla pas murit shefin e TikTok-ut për shqetësimet e privatësisë dhe sigurisë kombëtare.

Nga ana tjetër, rezulton në një kohë shqetësuese për krijuesit e përmbajtjeve që kanë bërë karrierë në aplikacion me përmbajtje si komedi, muzikë ose mësime bukurie për ndjekësit e tyre.

Shumë prej tyre nuk kanë në plan të heqin dorë ende prej tij.

Përmbajtja humoristike në TikTok e Arthur Hill është bërë puna e tij me kohë të plotë

Arthur Hill filloi të postonte klipe komedi në TikTok ndërsa ishte ende në universitet. Sot ai ka 1.4 milionë ndjekës dhe ndoshta është më i njohur për videot e tij duke ndarë një shtrat me këngëtarin James Blunt.

Arthur ka qenë i vetëdijshëm për shqetësimet rreth TikTok-ut që kur filloi ta përdorë atë, por rrëfen se është “pak idiot” kur bëhet fjalë për privatësinë në internet.

Por ndalimet e fundit të pajisjeve të qeverisë dhe seanca dëgjimore e Kongresit e kanë bërë atë më pak të sigurt.

Arthur mendon se heqja qafe e TikTok-ut tani “do të ishte shumë e rëndësishme dhe do të prishte jetesën dhe karrierën e shumë njerëzve”.

“Unë mendoj se gjithçka do të shkonte pak keq”, ka thënë ai.

Nëse TikTok zhduket, Arthur shpreson se diçka do të vijë për ta zëvendësuar atë – por ai nuk është i sigurt se sa shpejt do të ndodhë kjo.

Kurse Stepz ka sunduar listat javore të TikTok-ut me hitin e tij Cramp Dat.

Muzika është pjesë e ADN-së së TikTok-ut dhe këngët që bëhen virale në aplikacion mund të bëhen hite të mëdha.

Reperi Stepz, nga Croydon, u emërua artisti kryesor i TikTok-ut verën e kaluar. Tani ai ka 3 milionë ndjekës.

Ai thotë se aplikacioni lejoi që marka e tij e muzikës të shpërthejë dhe nuk mendon se kjo do të kishte ndodhur në një mënyrë kaq të madhe në aplikacionet e tjera.

Stepz thotë se aplikacioni u ka dhënë të rinjve një platformë ku kompanitë diskografike mund të shohin punën e tyre dhe e ka lejuar atë të depërtojë në një industri që ai nuk mund ta përballonte ndryshe.

Sipas tij, ndalimi i TikTok-ut do të “dëmtonte shumë muzikën”.

Ndërsa Monique thotë se TikTok-u ndihet më autentik se platformat e tjera

Monique filloi kanalin e saj të bukurisë dhe kujdesit të lëkurës – Skinfiltrator – gjatë pandemisë dhe llogaria e saj është rritur në 160 mijë ndjekës.

Ajo ka miliona shikime në një numër të videove të saj dhe thotë se kjo është për shkak se aplikacioni “shpërblen krijuesit më të vegjël” më shumë se platformat e tjera.

Monique thotë se ka gjetur një audiencë mbarëbotërore dhe gjithashtu ka krijuar partneritete me disa prej markave më të mëdha të bukurisë në botë.

Dhe se kjo nuk do të kishte ndodhur pa TikTok-un.

Monique mendon gjithashtu se konsumatorët do të humbnin nëse TikTok-u do të ndalohej, pasi kjo e ka bërë më të lehtë për kompanitë që prodhojnë produkte të specializuara të arrijnë audiencë të re.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore