Shqipëria

Çështja “Partizani”, Berisha: Hetimi është bërë në mungesë të provave dhe fakteve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili është marrë i pandehur me akuzën e korrupsionit lidhur me çështjen e privatizimit të ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, ka akuzuar sërish Prokurorinë e Posaçme SPAK.

Kësaj here me pretendimin se hetimi është bërë në mungesë të provave dhe fakteve.

“Mercenarët e prokurorisë politike private të Edi Ramës, në mungesë të plotë të veprës penale, faktit penal, për të mbuluar krimet e veta dhe të padronit të tyre, Edi Rama, që fshehin në piramidën e tyre të mashtrimit, padinë e tyre politike në 500 faqe të saj, e bazojnë fund e krye në mashtrime, manipulime, falsifikime dhe fshehje të dokumenteve zyrtare dhe përpjekje për të rrëzuar ligjet me dëshmitarë të rreme, shpalljen e bamirësisë, sevapit, vepër penale dhe po kështu shpalljen ryshfet të marrë nga Sali Berisha sipas tyre, sponsorizimin nga Fatmir Bektashi të Ministrisë së Kulturës për udhëtimin e dy këngëtarëve”.

Sipas tij, mercenarët e SPAK-ut, “pasi nuk kanë gjetur asnjë shkelje të vetme ligjore dhe asnjë dokument të firmosur nga Sali Berisha në dhjetëra e dhjetëra dokumente të procesit të njohjes, kthimit dhe parablerjes nga pronarët legjitimë të pronës në klubin Partizani, pasi nuk kanë gjetur asnjë dëshmitar që të pohojë se Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi kanë bërë ndërhyrjen më të vogël në këtë proces, dhe për të mbrojtur Edi Ramen nga një abuzim i padëgjuar, kanë bërë në piramidën e tyre të mashtrimit, atë që nuk mund ta imagjinojë njeri”.

Referuar akuzës së radhës, në këtë piramidë shkruhet ndryshimi i destinacionit të zonës sportive në zonë banimi.

“Kërkesat e shtetasit Fatmir Bektashi për objektivat që kërkon të arrijë nëpërmjet pushtetit të shtetasit Sali Berisha, e konkretisht ndryshimi i destinacionit të zonës sportive në zonë banimi, përkundrejt përfitimit që ai do të japë si ryshfet mitë, lexohen në aktet e lidhura me shtetasin Jamarbër Malltezi”.

Po ashtu thuhet se “shkruajnë se me datë 22.05.2006, pala pronare e përfaqësuar nga Jamarbër Malltezi lidhi kontrate me kompaninë Kontakt ku kompania mori përsipër ndërrimin e destinacionit”. Dhe kjo, thuhet se “u realizua nga miratimi në KRTRSH e Republikës 6 muaj më pas, më datën 21.11.2006 me firmën e Sali Berishës”, sipas ankesës.

Berisha vijon duke thënë se “mbi bazën e këtij ndryshimi destinacioni, Edi Rama përmes Këshillit Teknik të Bashkisë përcaktonte se cila çështje hynte në rendin e ditës të KRRT. Pra, destinacionin e ndryshoi Edi Rama me datën 12.5.2006 në Këshillin Tektik të Bashkisë së Tiranës dhe pastaj 10 ditë më vonë në Këshillin e Rregullimit të Territorit, të kryesuar jo nga Sali Berisha, por nga Edi Rama”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore