Kosova

Çështja e dinarit do të zgjidhej me formimin e Asociacionit, thotë Borrell


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është shprehur i shqetësuar me mungesën e konsultimeve paraprake nga ana e autoriteteve kosovare kur në pyetje është rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit, dhe për pasojat që kjo rregullore ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Pasojat janë të ndërlidhura me ndikimin që kjo rregullore ka në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, ka potencuar Borrell në një përgjigje me shkrim i publikuar nga Parlamenti Evropian.

Diplomati spanjoll është shprehur i bindur se rregullorja e BQK-së po ndikon në çështje që do të duhej të negocioheshin gjatë themelimit ët Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Vendimi i BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

Sipas tij themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës.

Duke folur për draft-statutin modern evropian e përgatitur nga BE-ja, Borrell ka potencuar se i njëjti është përgatitur në “konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe vijat e kuqe të palët në masën e mundshme”.

“Më 21 tetor të vitit të kaluar, draft-statuti iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë Draft Statuti i Asociacionit, të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiç ”, deklaroi Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore