Shqipëria

Çështja “Beleri” kalon në Apelin e Posaçëm


Këtë të hënë të 29 majit është marrë vendimi që dosja në ngarkim të Fredi Belerit të kalojë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Beleri, i cili fitoi zgjedhjet lokale në Himarë akuzohet për shit-blerje votash.

Ishte Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm ai që kaloi çështjen në Apelin e Posaçëm.

Ndërkohë po ditën e sotme u bë me dije se gjendja shëndetësore e Belerit nuk ishte në gjendjen më të mirë, pasi po merr kujdes shëndetësor për shkak të problematikave të shfaqura.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certefikuar rezultatin, ku i jep mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg.

Si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore